Konfindustria shqiptare e sheh të vonuar hetimin e Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me rritjen rekord të çmimit të karburanteve në tregun shqiptar. Sipas Gjergj Buxhukut, tendenca e çmimit të karburanteve në vend që nga shtatori dëshmon qartë praninë e një karteli që fikson çmimet duke dëmtuar rëndë qytetarët shqiptarë.
Ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës për monitorimin e tregut pas rritjes rekord të çmimit të karburanteve në vend, cilësohet e vonuar nga Konfindustria shqiptare.
Me anë të një deklarate kjo e fundit vlerëson, se vendimi i fundit i Autoritetit të Konkurrencës për të mbikqyrur praninë e karteleve në tregun e karburanteve, ndonëse i mirëpritur, është tepër i vonuar në kohë dhe jep pak shpresa për të qenë efektiv për mbrojtjen e interesit publik.
Fermerët po lënë investimet në Shqipëri dhe po ikin sërish në emigracion, ja arsyet
Administratori Gjergj Buxhuku thotë së vendimi u ndërmor vetëm pas kërkesës publike të përsëritur të Konfindustrisë për ngritjen e Komisionit Parlamentar për hetimin e rolit të munguar rregullator të Autoritetit të Konkurencës pas rritjes së menjëhershme në grup në nivel historik të çmimit të karburanteve.
Sipas vlerësimit të Konfindustrisë, duke nisur nga muaji shtator 2021 ka patur shfaqje të qarta dhe të përsëritura të pranisë së kartelit në tregun strategjik të karburanteve me mbi 1.5 miliard $ qarkullim vjetor.
Në deklaratë thuhet se vonesat e gjata mbi 4 mujore të ndërhyrjes në zbatim të detyrimeve ligjore të Autoritetit të Konkurrencës, janë krejtësisht të papërligjura, duke dëmtuar rëndë interesin publik, ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët shqiptarë.
Gjergj Buxhuku vlerëson se vonesa e radhës e ndërhyrjes si dhe historiku i dështuar i përballjes së Autoritetit të Konkurrencës në mbrojtje të interesit publik, vënë në dyshim përfundimet e procesit hetimor ndaj sjelljes së fundit të operatorëve në tregun e karburanteve.
Javët e fundit në Shqipëri një litër naftë është shitur me 194 deri në 198 lekë, duke shënuar një rritje rekord bashkë me çmimin e gazit dhe benzinës./Ora News/