Për të siguruar qumështin e nevojshëm për popullatën, Shqipëria përherë e më shumë po i drejtohet importit. Ndër të tjera, në A2 Business, me gazetaren Aurora Sulçe, mbrëmjen e së mërkurës u diskutua edhe për këtë çështje.
Donjaldo Hoxha, nga shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit, tregoi sepse gjithnjë e më shumë kjo industri po i drejtohet Serbisë për të importuar qumësht. Hoxha evidentoi mungesën e prodhimit vendas të qumështit, ndërsa theksoi si më kryesoren çmimin më të ulët të këtij produkti në vendet e rajonit.
“Situata është drastike dhe emergjente. Kjo është situata më e vështirë që po kalon industria e përpunimit të qumështit që nga krijimi i saj. Ne i drejtohemi importit vetëm në rastet kur nuk ka lëndë të parë brenda vendit tonë. Kërkesa e tregut është dinamike dhe sezonale.
Në muajt e verës kur kemi rritje turizmi, ne duhet t’i drejtohemi importit për lëndën e parë.
Por duhet përmendur se çmimi i qumështit në Serbi është 15-20% më i lirë se në Shqipëri.
Në Shqipëri, qumështi lëviz nga 50-52 cent. Në vendet e rajonit ai lëviz nga 32 deri në 36 cent. Ky ndryshim çmimi vjen, në radhë të parë, për shkak të politikave subvencionuese që vendet e rajonit kanë për sektorin e blegtorisë. Kjo bën që fermeri shqiptar të jetë i disavantazhuar në krahasim me fermerin e rajonit”, tha Hoxha.
Ndërkohë, edhe Irfan Tarelli, drejtor i politikave bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, e pranoi rënien e prodhimit të qumështit në vend dhe këtë e lidhi me familjet në fshat që gjithnjë e më shumë po mbajnë më pak lopë./A2