Pasditen e sotme Apeli i Posaçëm ka vendosur të dënojë me 3 vite e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Trupa gjykuese ka lënë në fuqi vendimin e parë, por me një ndryshim, duke hequr kështu konvertimin e viteve të burgut me shërbim prove.
E ndodhur brenda sallës ku u dha vendimi, gazetarja Klodiana Lala ka treguar për lëvizjet dhe sjelljet e Tahirit.
Ajo tha se ish-ministri ishte i tensionuar dhe dukshëm nuk e priste këtë vendim. Në momentin që është dhënë vendimi, atij i është lejuar një telefonatë, duke mos e specifikuar se me kë. Po ashtu, pritet që ish-ministri sot të shkojë në burg dhe i mbetet atij nëse do e dërgojë në rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Tahiri do të dalë me pranga në duar për të shkaur në ambientet e paraburgimit. Treshja gjykuese deklaroi se sipas akteve, rezultoi se Tahiri ka cënuar interesat e shtetit, ndaj favorizimit të dhënë Habilajve. Gjithashtu ai ka pasur kontakte jo korrekte edhe me vëllain e Moisi Habilajt, Artanin.
Ai ka shpërqendruar detyrën sepse ka përfituar dhurata nga grupi kriminal Habilaj. Po, ai do të shkojë në burg, sepse vendimi është dhënë në formën e prerë. Vihej re prania e forcave të policisë për të qëndruar në gatishmëri në varësi të vendimit të trupës gjykuese.