AURORA SULCE
Pandemia e COVID 19 ka ngritur alarmin për pasojat që lë tek shëndeti mendor. Janë të shumtë të prekurit nga koronavirusi që shfaqin simptoma psikiatrike, të formave nga të lehta deri tek më të rëndat. Kjo në varësi edhe të jetës që kanë dhe faktorëve të tjerë stresues. Raporti “Monitorimi i Buxhetit të Shtetit për Shëndetësisë Janar-Gusht 2021”, përgatitur nga “Together for Life” dhe mbështetur nga Fondacioni Ëestminster për Demokraci, evidenton se në Shqipëri ka pasur rritje të numrit të pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike. Rritja e shtrimeve të këtyre pacientëve nisi që në 4-mujorin e parë të 2021. Sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë në këtë periudhë shtrimet në spitalet psikiatrike u rrit 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Sipas hartuesve të raportit, trajtimi i çrregullimeve të shëndetit mendor është një sfidë globale e shëndetit publik, e cila sa vjen e po merr përmasa më të mëdha. Këto çrregullime nga të dhënat statistikore rezultojnë se prekin më shumë pjesë të shoqërisë me status të ulët socio-ekonomik. Familjet me të ardhura të ulëta kanë barrën më të lartë të sëmundjeve të shëndetit mendor.
Situata vlerësohet shqetësuese edhe nga specialistët e shëndetit mendor. Ata gjejnë lidhje të drejtpërdrejta të simptomave psikiatrike tek personave që kanë kaluar COVID 19.
“COVID 19 mund të dëmtojë edhe trurin, sic dëmton organet e tjera. Gjatë infektimit me COVID, individët përjetojnë frikë, ankth, dhe atake paniku. Çrregullimet më të shpeshta psikiatrike të shkaktuara nga COVID 19 referuar studimeve, por edhe eksperiencës klinike, janë çrregullime e ankthit, të humorit, pagjumësia dhe më të rralla ato neurologjike, si ishemia apo crregullimet konjitive”, shpjegon Anita Pilika, mjeke psikiatre.
Ndërkohë që sipas mjekes psikiatre Irena Thoma, koronavirusi përshpejton çrregullimet psikiatrike që mund të ketë një person. “Shumë ekspertë janë të shqetësuar për lidhjet psikiatrike që shfaqen pas kalimit të COVID 19. Ka të dhëna që COVID 19 përshpejton shfaqjen e simptomave psikiatrike dhe gjithashtu, çrregullimeve psikiatrike. Madje, edhe të sindromës demenciale. Infeksioni me koronavirus po shfaq efekte shqetësuese neurologjike dhe psikiatrike.
Specialistët po përballen tashmë me njerëz relativisht të rinj me simptoma psikiatrike, por edhe të demencës pasi kanë kaluar COVID. Kjo nuk do të thotë se COVID shkakton problemet e mësipërme, por do të thotë që pandemia përshpejton përparimin e këtyre çrregullimeve. Ekziston një lidhje e pakundërshtueshme midis tyre”, shprehet ajo.
Por për mjeken psikiatre Ariana Rreli një tjetër arsye e shtimit të rasteve që trajtohen në spitalet psikiatrike është edhe fakti se njerëzit janë ndërgjegjësuar për të kërkuar ndihmë të specializuar. “COVID 19 është si të thuash pika që derdhi gotën e secilit prej nesh dhe bëri të mundur që të shfaqeshin gjendje emocionale apo gjendje ankthioze të pa përjetuara më parë. Prandaj dhe sot jemi dëshmitarë të ankesave të kudondodhura të lidhura me këto çrregullime, edhe pse klasifikohen tek çrregullimet e vogla të shëndetit mendor. Një arsye tjetër që unë do të shtoja në rritjen e numrit të personave që ankohen për probleme të shëndetit mendor është se ka më pak kompleksitet për t’i treguar këto probleme. Do të thotë që ne kemi më pak barriera për t’i verbalizuar, për t’i pranuar dhe për ti ankuar këto probleme tek profesionisti i shëndetit mendor”, argumenton mjekja Rreli.
Mjekët psikiatër që trajtojnë çdo ditë rastet e çrregullimeve mendore shpjegojnë se moshat më të prekura janë nga 20 vjec deri më 40 ose 45 vjec. Sipas tyre, kjo shpjegohet me përgjegjësitë më të mëdha që ka kjo moshë dhe rrjedhimisht, me një numër më të madh faktorësh stresantë që vuajnë krahasuar me moshat e tjera, të cilat nuk është se e përjetojnë më pak gjendjen e stresit të krijuar nga COVID, por duket se kanë mënyra kompensimi më tepër për të reduktuar nivelin e ankthit.
Simptomat psikiatrike që shfaqen
Por cilat janë simptomat kryesore psikiatrike që përjetojnë të prekurit nga COVID 19?
“Më së shumti në këtë kohë rastet e vëzhguara më shumë janë ato të lidhura me ankthin dhe me atakun e panikut. Pacientët kanë shpesh vështirësi në frymëmarrje, kanë rrahje të shpeshta të zemrës, djersë të shtuara, ndjesi të mpirjes, qoftë në gjymtyrë, qoftë në pjesën e kokës. Kanë gjendje të trazimit të traktit të tretjes, si p.sh gjendje për të vjellje dhe marrje mendsh, shpërqëndrim, shumë po ankohen për problematika me kujtesën, çrregullime të gjumit, ndryshime të oreksit të pasuara nga ndryshime të gjendjes të humorit. Nëse kjo gjendje e ankthit agravon më tepër, atëherë personat ankohen për atakët e panikut që është një lloj sulmi i ankthit, ku personi ka shumë frikë se mos vdes apo mos çmendet, se mos humb kontrollin ndaj realitetit dhe kjo gjë e shtyn drejt urgjencave për të kërkuar ndihmën e menjëhershme ndaj këtij alarmi që pas disa ekzaminimeve gjendet se nuk ka asnjë përfshirje organike, por është gjithë ngarkesa e grumbulluar me kohë dhe ka shpërthyer në këtë atak paniku”, shpjegon mjekja psikiatre Anila Rreli.
Specialistët e shëndetit mendor rendisin një sërë arsyesh që cojnë në përshpejtimin e përparimit të çrregullimeve psikiatrike tek personat që kanë kaluar koronavirusin. “Njerëzit janë të bombarduar nga lajmet tragjike lidhur me pasojat e COVID dhe me rrezikun e rritjes së vdekshmërisë nga COVID. Kanë frikëra intensive nga rreziku i infektimit. Kanë frikëra të shumta nga ecuria e sëmundjes, rëndimit të mundshëm të gjendjes fizike ditë pas dite gjatë kohës që kalojnë koronavirusin. Ashtu sic janë informuar nga media apo nga rrjetet sociale, vështirësia për të funksionuar dhe për të bërë një jetë normale dhe zgjatja në kohë e sëmundjes ndikojnë në rritjen e stresit. Ky i fundit nëse është i zgjatur shoqërohet me simptoma psiko fizike ose edhe simptoma neuro vegjetative, si p.sh pagjumësi, dhimbje psiko somatike lodhje, humor të rënë, mungesë dëshire për të kryer aktivitetet e përditshme”, argumenton mjekja psikiatre Thoma.
Sipas saj, një tjetër faktor mund të jetë edhe kursimi i koronavirusit tek disa persona me kortizonikë. Për këto raste, mjekët rekomandojnë një jetë të shëndetshme me aktivitet fizik dhe ushqim të mirë. “Vetë kortizonikët në disa persona japin dhe efekte anësore me simptoma psikiatrike, si p.sh hiperaktivitet, axhitim motor, çrregullime mendimi apo perceptimi, dhe në këto raste, këshilla ime për të reduktuar pasojat psikiatrike të COVID janë që njerëzit të bëjnë një jetë sa më të shëndetshme, larg informimit intensiv për pasojat e COVID, të ushqehen në mënyrë të shëndetshme larg alkoolit dhe duhanit, pijeve energjetike, larg përdorimit të drogave, pro gjumit të mjaftueshëm, organizimit të mirë të aktiviteteve ditore dhe planifikimit të punës, një ushqyerje e larmishme dhe një alternim të rregullt të pushimit për të reduktuar kështu tensionimin dhe stresin”, shpjegon mjekja Thoma.
Trajtimi pas shfaqjes së simptomave psikiatrike
Raporti i Together for Life evidenton se çregullimet e shëndetit mendor shoqërohen me vonesa në kërkimin e ndihmës mjekësore, vonesa në të kuptuarit e problemit dhe ulje të aksesit në shërbimet shëndetësore. Gjithashtu, diagnostikimi është më i vështirë për individët që kanë sëmundje të tjera kronike ose akute dhe shfaqin probleme të shëndetit mendor.
Mjekja Anita Pilika shpjegon sesi trajtohen raste të tilla që paraqiten për ndihmë. “Bëhet trajtimi sipas rastit. Krahas trajtimit të simptomave të shkaktuara nga COVID trajtohen edhe ato psikiatrike. Pacientët trajtohen nga mjekët psikiatër në shërbimin primar në Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor, në disa raste edhe në shërbimet me shtretër. Rol të rëndësishëm luan edhe stafi psikosocial, duke ofruar këshillime, terapi të ndryshe dhe suport familjar”, shpjegon mjekja psikiatre.
Por rastet nuk janë të njëjta. Në varësi të tyre, bëhet edhe trajtimi nga mjekët apo ndihma që u jepet pacientëve. “Trajtimi bëhet sipas rastit. Ka raste që shqetësimet e tyre i shfaqin që në fillim dhe këtu mjaftohet këshillimi ose psikoterapia, e cila ndërgjegjëson personin për mekanizmat që kanë ndikuar në këtë gjendje të tij, duke bërë që ai të mos ekzagjerojë meraqet e veta dhe të mos shtojë ankthin, duke kursyer kështu trajtimin me medikamente. Ndërsa në rastet kur gjendja është më e rënduar, atëherë duhet ndërhyrë edhe me medikamente, të cilat sot po përdoren me shumë sukses duke mos kompromentuar funksionimin e individit dhe duke krijuar një mirëqënie e cila zgjat në kohë”, shprehet mjekja psikiatre Anila Rreli.
Mjekja psikiatre Irena Thoma shpjegon se nëse personat që shfaqin shqetësime marrin kontaktin me specialistët psikiatër, atëherë edhe mbulimi i problemeve të tyre bëhet në mënyrë të rregullt. Por ajo rekomandon një informim më të mirë të qytetarëve lidhur me simptomat, në mënyrë që të reagojnë shpejt për të kërkuar ndihmë.
“Mendoj që masat që duhen marrë për një adresim më të mirë të kësaj problematike është informimi i popullatës, edukimi në lidhje me simptomat psikiatrike që mund të shfaqen. Një njohuri e mirë nga ana e njerëzve do ti ndihmojë ata që të kërkojnë ndihmën e duhur sipas sistemit të referimit në shërbimin ambulator dhe më pas në specialitetet psikiatrike”, shprehet mjekja Thoma.
Por si është qasja e qeverisë në trajtimin e këtyre sëmundjeve në afatgjatë përsa i përket mbulimit me kujdes shëndetësor apo dhe me fonde? “Pasojat e COVID afatgjatë janë adresuar edhe në Strategjinë e re të Shëndetësisë 2030. Patjetër që do të ketë nevojë për më shumë fonde, më shumë investim në sistemin shëndetësor, në burime njerëzore etj”, shprehet Denisa Canameti, përfaqësuese e Together for Life.
Mjekët psikiatër shpjegojnë se ndihmë është fakti se një pjesë e mirë e medikamenteve që rekomandohen për këto raste janë të rimbursueshme. “Një pjesë e konsiderueshme e barnave psikiatrike rimbursohen nga shteti dhe barnat e rimbursueshme merren falas”, shprehet mjekja Irena Thoma.
Fondet që qeveria jep për trajtimin e sëmundjeve mendore në spitalet psikiatrike janë pjesë e fondit që i alokohet Ministrisë së Shëndetësisë nga buxheti i shtetit. Për shkak të pandemisë së COVID 19 dhe emergjencave në disa plane që ajo krijoi, fondet buxhetore për këtë sektori janë rritur. Sipas të dhënave zyrtare, evidentuar në raportin e Together for Life shpenzimet për këtë shëndetësinë shënuan rritje të ndjeshme në 8 mujorin 2021. Për periudhën janar- gusht 2021, shpenzimet totale faktike për sektorin ishin 49 miliardë lekë (402 milionë Euro), me një rritje prej 14.7% me bazë vjetore në krahasim me periudhën përkatëse 2020, ose 6.3 miliardë lekë (52 milionë Euro) më shumë. Sipas ekspertëve, me përfundimin e pandemisë do të kërkohet një vëmendje e shtuar në trajtimin e sëmundjeve që ka lënë pas COVID 19, pjesë e të cilave janë edhe çrregullimet psikiatrike. Rrjedhimisht, do të kërkohen edhe më shumë fonde.
Tendenca në rritje e shtrimeve në spitalet psikiatrike nga persona që kanë kaluar COVID 19 ka vijuar. Për periudhën janar-gusht 2021 në spitalet psikiatrike numri i pacientëve të shtruar është rritur 10.5% në krahasim me vitin e kaluar. Sipas raportit të Monitorimit të Ministrisë të Shëndetësisë, këtë vit në spitalet psikiatrike shtetërore janë të shtruar 950 pacientë nga 850 që ishin të shtruar vitin e kaluar.