34-vjeçari Vinçens Piroli u qëllua mbrëmjen e së hënës me 3 plumba pas shpine në qytetin e Shkodrës. Qitja ndaj laçjanit është kryer me silensiator pasi nuk janë dëgjuar të shtëna. Piroli ishte duke ecur në këmbë në momentin që është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Pasi mori një plumb në shpatull dhe dy në pjesën e brinjëve, Vinçens Piroli ka marrë në telefon një familjarin e tij, i cili e ka dërguar në spitalin e Lezhës, edhe pse plagosja ka ndodhur në Shkodër.
Sipas dëshmisë së parë të 34-vjeçarit për policinë tha se erdhi në Spitalin e Lezhës pasi ndihej më i sigurt. “Ndihem më i sigurt në spitalin e Lezhës se në Shkodër, prandaj erdha këtu”, u ka thënë ai hetuesve. I pyetur mbrëmë se ku u plagos dhe në çfarë rrethanash, Piroli nuk ka dhënë asnjë informacion për policinë duke thënë se nuk i kujtohej asgjë.
34-vjeçari dyshohet se është vrasës me pagesë dhe se e di se kush e ka qëlluar por nuk ka bërë publik emrat e njerëzve me të cilët ka qenë në hasmëri. Madje dhe familjari që e ka dërguar në spital është zhdukur menjëherë, çka ngre dyshimet se Piroli vijon të ruhet e të ruaj njerëzit e tij edhe pas këtij atentati.