Flamur Noka, i shoqëruar nga Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, tha se protestuesit nuk kanë bërë asnjë dëm, por vetëm kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre, prandaj policia duhet ti lirojë.
“Asnjë faj dhe asnjë dëm nuk kanë bërë. Thjeshtë dyert e mbyllura i kanë hapur dhe ky nuk quhet faj, kanë hapur dyert e dritaret e shtëpisë së tyre. Edi Rama sot tregoi se është kryetar i opozitës. Janë rreth 20 të ndaluar nga dita e sotme sepse hapën dyert e selisë. Dyer dhe dritaret që i kishin mbyllur dhe i hapën. I bëj thirrje të ndalojmë këto lojëra. Në Shqipëri nuk mund të ketë opozitë të emëruar. Do të ketë një opozitë që duhet të përfaqësojë demokratët.
Lironi demokratët e lirë që duan të hyjnë në shtëpinë e tyre, por le të arrestojë bandat e armatosura brenda selisë.Sot ata demokratë që janë të mbyllur atje brenda kanë 6 akuza mbi kurriz. Pse? Se i prishën terezinë pengut të Ramës. Kemi parë gjyqe e arrestime të vrasësve por kurrsesi 6 akuza. Ku e katandisi PD-në pengu i Ramës. Regjimi sot tregoi fytyrën e tij. Banditë brenda selisë duke mbrojtur pengun dhe gardistët. Pse shteti arreston dhe burgos demokratët e lirë dhe nuk arreston bandat brenda selisë? Nuk do t’ia dalin. Të jenë të sigurtë që asgjë nuk do ta ndalë për të kthyer nga bunker në shtëpi lirie”, tha Noka.