Nënkryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj ka folur në emisionin “Frontline” në News24 për 8 janarin dhe përjashtimet nga PD. Gjekmarkaj tha se ndodhi diçka që çoi drejt përjashtimeve, që ishte 8 janari dhe rrëfeu çfarë ndodhte brenda selisë së PD. Ai tha se vajza e lemeritur i lutej të kthehej në shtëpi ndërsa sulmohej selia e PD.
Sipas tij nëse ndërhyrja e policisë do të zgjaste dhe 5 apo 10 minuta në selinë e PD do të kishte arkivole.
“Përjashtimet janë një moment i vështirë në jetën e PD. Kohë më përpara nuk do ta mendoja kurrë që do gjendesha në pozitën e një njeriu që do të votonte pro përjashtimeve, sepse nga pikëpamja e kulturës time njerëzore jam kundër përjashtimeve, por ndodhi diçka që na çoi drejt përjashtimeve në mënyrë të logjikshme. Ishte data 8 janar. Unë kam qenë brenda në selinë e PD-së dhe ka qenë një nga ditët më të trishta të jetës time qoftë në raport me familjarët e mi, me time bijë që më kërkonte të kthehesha në shtëpi dhe ishte e lemeritur nga pamjet që shikonte se si i ati i saj në vitin 2022 ishte i rrethuar nga kolegët e vet, një turmë njerëzish, agresive që të kujtonte rrethimin e Krujës, ngjiteshin me shkallë, me kokë dashi, me një shinë hekuri, me qyski, me varre, me dinamit, kacavirreshin, gjuanin me gurë, shanin, kërcënonin që do vrisnin e do prisnin tek dyert. Ishte vërtetë tragjike.
Unë nuk jam në gjendje ta parashikoj… Ndihej klima e rrezikut. Kam përshtypjen që nëqoftë se do të zgjatej ndërhyrja me 5 apo 10 minuta mund të ndodhte një kasaphanë dhe mund të kishte arkivole në selinë e PD-së.
Ishte projektuar një gjakderdhje. Fatmirësisht nuk ndodhi, por ishte ngjarje ka lënë shenjë. Ka lënë shenjë në emocionet, në gjykimin e gjithsecilit prej nesh”, deklaroi Gjekmarkaj.
Ai tha më tej se dyert e blinduara penguan në një farë mënyre gjakderdhjen dhe dhanë një ndihmë për të kuptuar thelbin e lëvizjes së Sali Berishës për interesat personale.
“Ndoshta koha do të na i ftohë, do të na i zbehë tensionin dhe tmerrin e asaj dite sepse dikush tha blinduat dyert. E vërtetë, por nuk duhet të harrojmë se kërcënimet erdhën para se të blindoheshin dyert. Ato dyer në një farë mënyre penguan që të ndodhte
gjakderdhja. Por nga ana tjetër dhanë një ndihmë për të kuptuar thelbin e kësaj lëvizjeje të udhëhequr nga Sali Berisha për interesat e veta personale. Ishin gati të bënin gjakderdhje. Unë nuk do të shkoja kurrë, kurrë, kurrë e përsëris për të nxjerrë një koleg, Sali Berishën apo këdo tjetër në atë mënyrë, sepse besoj ende tek forca e votës, tek ligji, tek demokracia jo tek qyskitë, jo tek varretë, jo tek hekurat. Nuk do ta bëja kurrë as me Edi Ramën, as për kundërshtarin politik që ta nxjerr në këtë mënyrë, as ta poshtëroj publikisht, as ta dhunoj fizikisht. Kjo kulturë duhet të vdesë në Shqipëri njëherë e mirë”, u shpreh Gjekmarkaj.
Ai theksoi më tej se për sa kohë fantazmat e kësaj kulture janë në xhiro, demokracia në Shqipëri është gjithmonë një iluzion, nuk është realitet i prekshëm.
“Ajo çfarë më ka bërë përshtypje aty brenda, njerëzit, deputetët, trupa drejtuese e PD nuk është se ndiente frikë për veten, por secili kishte shqetësimin dhe zhgënjimin e thellë se si mund të degjeneronte situata, si mund të përdoreshin njerëzit, kolegët kundër kolegëve”, u shpreh nënkryetari i PD.
Ndërkohë Gjekmarkaj tha se policia ka ndërhyrë me vonesë dhe foli për një skenar politik të qeverisë.
“Policia ka ndërhyrë 1 orë e gjysmë me vonesë, ose të paktën 1 orë me vonesë dhe druaj shumë që ky ka qenë skenar politik i qeverisë sepse situata dukej nga televizionet dhe nuk ishte e nevojshme që të pritej shumë për të ndërhyrë sepse s’ke arsye të presësh kur sheh që një objekt i mbushur me njerëz brenda po sulmohet në mënyrë kriminale. Policia duhet të ndërhynte automatikisht që në momentin kur shfaqej dhuna në selinë e PD”, deklaroi Gjekmarkaj.BW