Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka mbledhur sot drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Bashkë me kryepolicin Gledis Nano, ai ka mbajtur një fjalë të fortë para tyre dhe i ka paralajmëruar që të mos tolerojnë “asnjë sinjal” nga politikanët, sado të lartë të jenë.
“Presionin politik për të mbyllur një sy apo për të toleruar diku e keni zero. Po jua them meqë jeni të gjithë këtu. Nga ministri nuk diskutohet. As nga kryeministri. Por çdo sinjal, sado të tërthortë, që mund të merrni nga çdo faktor politik, sado i lartë të jetë, duhet ta refuzoni me forcë dhe të më bëni me dije mua drejtpërdrejt. Nga kushdo të vijë ajo.
Nëse i shkon në mendje njeriu që të mbylli një sy aty ku është, në lidhje me këtë gjë, po i them që do i shkatërrohet karriera. Dua që gjithsecili nga ju këtu ta kuptojë kështu si e thashë unë, dhe ta nguli në mendje si e thashë unë”, u shpreh ministri ndër të tjera.
Në fjalën e tij, Çuçi u ndal dhe te lufta antikanabis, shkruan newsbomb.al. Ai tha se nga mesi i këtij viti do të ketë shërbim satelitor që do jetë në dispozicion të strukturave të Policisë së Shtetit, me qëllim fotografimin në mënyrë periodike të pjesëve të territorit për të cilat do ketë indicie.
Fjala e plotë e Bledi Çuçit, me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit:
Ne do vazhdojmë edhe këtë vit që luftën antikanabis ta kemi një prioritet absolut. Besoj që këtë vit të fillojmë me një risi në pjesën e kontrollit të territorit. Nga mesi i vitit do kemi shërbimin satelitor që do na prodhojë në mënyrë periodike, gati të përditshme, foto të gjithë pjesëve të territorit.
Ato që duam ne dhe i quajmë më sensitive, sipas porosisë që marrim nga ju. Mund të kemi një avantazh tjetër që mund të na krijohet për shkak të kontrollit të përditshëm të territorit nga sateliti. Me shpresë nga fundi i vitit të fillojë dhe monitorimi me dron.
Me satelit besoj unë do filloj nga mesi i vitit, se është më i thjeshtë procesi.
Presionin politik për të mbyllur një sy apo për të toleruar diku e keni zero. Po jua them meqë jeni të gjithë këtu. Nga ministri nuk diskutohet. As nga kryeministri. Por çdo sinjal, sado të tërthortë, që mund të merrni nga çdo faktor politik, sado i lartë të jetë, duhet ta refuzoni me forcë dhe të më bëni me dije mua drejtpërdrejt. Nga kushdo të vijë ajo.
Nëse i shkon në mendje njeriu që të mbylli një sy aty ku është, në lidhje me këtë gjë, po i them që do i shkatërrohet karriera. Dua që gjithsecili nga ju këtu ta kuptojë kështu si e thashë unë, dhe ta nguli në mendje si e thashë unë.
Ju lutem shumë të mos bëjë gabim njeri të mendoj se do tolerojë, do mbylli sytë diku. Mos ta bëjë këtë gabim. Mos ta bëjë këtë gabim. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo është një gjë që ju jepet mundësia të bëni një gjë të mirë për Shqipërinë.
Nuk mund të jenë të gjithë momentet, gjatë gjithë karrierës suaj, të keni çdo vit momente të tilla.