Një zgjidhje e shpejtë dhe perfekte për të ruajtur domatet përtej sezonit të tyre është t’i vendosni në frigorifer.
Kjo metodë ruajtjeje është shumë efikase dhe kërkon thjesht shpëlarjen, heqjen e bishtit dhe vendosjen e domateve në ngrirje.
Ngrirja ruan aromën e tyre të freskët, lëkurat bëhen të ashpra dhe struktura bëhet aq e butë sa domatet janë më të mirat që mund të përdorni në gatimet ku shija ka përparësi mbi formën.
AgroWeb.org ju njeh më poshtë me hapat e thjeshtë të përdorimit të tyre në rastin e përgatitjes së salcës, të supës ose ndonjë gjelle tjetër.
Përbërësit:
4-5 domate mesatare
2-3 lugë gjelle vaj ulliri
1 qepë mesatare
3-4 thelpinj hudhër
Borzilok, trumzës, rigon sipas dëshirës
Kripë dhe piper për shije
Për të përgatitur salcën.
Shpëlani me ujë të ngrohtë e të rrjedhshëm domatet e ngrira sepse kështu do të qëroni lehtësisht lëkurën e domateve.
Vendosini domatet e qëruara në një tas dhe lërini të shkrijnë plotësisht.
Më pas me anë të një piruni shtypini duke i ndarë në pjesë të vogla.
Skuqni në nxhetësi mesatare 2-3 lugë gjelle vaj ulliri, një qepë të grirë dhe katër thelpinj hudhër të grira.
Trazojini derisa perimet të marrin ngjyrë kafe të lehtë e të artë dhe më pas shtoni domatet e shtypura dhe 2- 3 lugë gjelle me erëza si borziloku, trumza dhe rigoni.
Shtoni pak kripë dhe piper të zi për shije.
Trazojeni vazhdimisht derisa masa të mpikset.
Ulni nxehtësinë dhe ziejeni për një orë, pa kapak.
Në fund lëreni masën të ftohet dhe më pas kalojeni në mikser për ta zbutur më tepër.
Për supë ose gjellë.
Shkrini sipërfaqen e jashtme të domateve të ngrira duke i vendosur për pak kohë nën rrjedhën e ujit të ngrohtë dhe qërojini.
Pritini domatet e ngrira përpara se të shkrihen plotësisht në mënyrë që lëngu të mos pikojë në sipërfaqen e punës.
Për gatimet me mish dhe fasule që kanë kohë të gjatë gatimi, pritini domatet e ngrira në copa të mëdha.
Ndërsa për gatimet si supa, që përgatiten më shpejt, pritini në copa më të vogla.
Shtojini domatet e ngrira e të copëtuara në supat me lëng mishi rreth 10 deri në 15 minuta përpara se t’i shërbeni. Kështu do të ruani shijen e tyre të freskët.
Nëse dëshironi që aroma e domateve të përzihet me përbërësit dhe erëzat e tjera, shtojini ato në fillim të procesit të gatimit./ Agroweb.org