Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të shtojë masat e reja kufizuese në vendin tonë, pas ardhjes së stinës së dimrit dhe dyshimit për qarkullimin e mutacionit të ri “Omicron”.
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri me dije se të gjithë personat mbi 18 vjeç mund të bëjnë dozën e tretë duke nisur nga 2 dhjetori.
Ndërsa do të vendoset vaksinimi me detyrim për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, ata të supermarketeve dhe qendrave tregtare deri më 31 dhjetor.
Në rast se vaksinimi i tyre nuk do të bëhet, do të jenë të detyruar që për të shkuar në punë të kryejnë një test PCR çdo pesë ditë.
Gjithashtu shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet nga Afrika e Jugut do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.
Mira Rakacolli prezanton masat e reja kufizuese:
- Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
- Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
- Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet:
Afrikë e Jugut
Kenia
Angola
Zambia
Bostëana
Senegal
duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.
Masat e tjera në fuqi:
Masat e tjera vijojnë si më poshtë:
-Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
-Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
•Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
•Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
•Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
•Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
•Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.