Nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, lideri Lulzim Basha i kërkoi ndjesë delegatëve, por edhe të gjithë simpatizantëve të kësaj force politike, për dualizmin e treguar prej tij në drejtimin e partisë në të shkuarën.
Duke theksuar se ky fenomen ka marrë fund, ai u kërkoi demokratëve që të zgjedhin të ardhmen dhe jo të shkuarën.
Sipas tij, ky moment në Partinë Demokratike është një moment historik ku të gjithë duhet të zgjedhin partneritetin përjetshëm me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
“E gjitha kjo nuk është gjë tjetër vecse një mendësi e së kaluarës, një sedentim i mendësisë puniste që nuk mund të mos e shoqëronin në startin e saj demokracinë tonë të re.
Ne nuk jemi këtu për të bërë gjyqin e ndokujt, ne nuk jemi dogmatikë, as të ngushtë e të paditur që të mos e dimë se me të vërtetë, një sistem i urryer mund të shembet për pak ditë a pak javë, por shembja e mendësive të ngulitura për 50 vjet kërkon kohë.
Aq me shumë në Shqipëri ku terrori sundonte territorin dhe individët, mendjet dhe shpirtrat, ku disidenca ishte e izoluar në burgje e kampe, ku liria merrte frymë me pipë në mjedise të ngushta, ku ndryshimet erdhën nga studentët dhe elitat e formuara brenda sistemit. Për ne mbeten të nderuar të gjithë ata që i dolën zot ndryshimit, ata të vijës së parë dhe gjithë shqiptarët që u bashkuan në rrugën e re.
Por mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetren drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë.
Ndaj edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së.
Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e kryetarit me protagonizmin e tij.
Faktet janë me qinda mijëra. Kushdo i ka parë.
Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë.
Është përgjegjesia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur ketë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike.
Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre.
Njohja e gabimeve është premisa e korigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja. Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen e një prej nyjeve të krizës për të cilën po flasim.
Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar.
Nga ana tjetër, ne caktuam një standart në qëndrimin tonë ndaj personave që shpalleshin non grata nga SHBA: përjashtimin e tyre nga politika. Sepse përdorimi nga SHBA i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Cfarë mund të bënin ne, çfarë mund të bëja unë kur goditja ra në shtëpinë tonë? Të shkelja standartin që vetë ne, të gjithë bashkë, nga I pari tek I fundit, përfshirë vetë Sali berishën e kishim vendosur, atëherë kur shpalljet non grata binin mbi bashkëpunëtorë dhe aleatë të Ramës? A nuk do të ishte ky kulmi i hipokrizisë para shqiptarëve?
A do të kishim fytyrë të përmendnim antikorrupsionin, a do të na besonte njeri, a nuk do të bëheshin shkrumb e hi si parulla bajate qëndrimet e zotimet tona?”, tha Basha.