Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen. Ky është viti i dytë që Krishtlindja festohet ndryshe, mes kufizimeve të vendosura nga pandemia e koronavirusit.
Në respektim të masave dhe duke shmangur grumbullimet, këtë mëngjes do të mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Ndërkohë, që mbrëmë në Katedralen e ‘Shën Palit’, Imzot George Frendo ka mbajtur meshën e tij të fundit si Arqipeshkv, e ndërsa përcolli edhe mesazhe për më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve.
Mesazhe paqeje kanë dhënë dje edhe krerët e besimeve fetare dhe po ashtu edhe politikanët. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, teksa uron besimtarët shkruan se dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot.