AURORA SULÇE
Shqipëria po përballet me valën e katërt të pandemisë së COVID 19, ashtu si edhe pjesa tjetër e globit. Një emergjencë shëndetësore që deri më tani i ka kushtuar ekonomisë shqiptare miliarda lekë dhe ndoshta më shumë do të kërkojë trajtimi i një fluksi sëmundjesh që koronavirusi ka shkaktuar tek të prekurit. Sipas raportit të Monitorimit të Buxhetit të Shtetit për Shëndetësinë, hartuar nga “Together for Life” me mbështetjen e Fondacionit Westminster për Demokraci ka konstatuar se për të gjithë vitin 2021, kostoja totale e planifikuar e menaxhimit të pandemisë ishte 7 miliardë lekë ose rreth 57 milionë Euro. Raporti evidenton se në terma afatshkurtër sektori shëndetësor duhet të vijojë luftën frontale ndaj COVID-19, pasi pandemia nuk e ka përfunduar ciklin e saj dhe parashikimet për shtrirjen e saj në kohë nuk janë të qarta. Ndërkohë që “në terma afatgjatë shërbimet shëndetësore do të përballen me një fluks kërkesash për trajtim, pasi COVID-19 ka lënë një barrë të lartë sëmundjesh në diagnoza të tjera të tilla, çrregullimet e zemrës, artritet, diabeti etj”.
Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga gazetarët dhe ekspertët e fushës, nga kontaktet me pacientët dhe atë që ndodh në terren. Ende nuk ka te dhëna të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë apo institucionet e varësisë që merren me mbledhje e përpunim të dhënash, për të konfirmuar, nëse numri i pacientëve kronikë është rritur që prej kohës së shfaqjes së pandemisë. Ndërsa, mjekët nga terreni raportojnë që COVID ka ndikuar shumë tek qytetarët që janë infektuar me këtë virus, veçanërisht ata që kanë marrë mjekim për një kohë të gjatë, apo ata që janë keq-mjekuar (përdorimi i antibiotikëve në masë, përdorimi në kohë të zgjatur (shumë herë fare i nevojshëm) i kortizonikëve etj).
Covid ka ndikuar në shfaqjen e diabetit, shfaqjen e problemeve kardiake, ka ndikuar tek veshkat, sepse siç raportojnë mjekët që janë marrë drejtpërdrejtë me trajtimin e këtyre rasteve, apo edhe mjekët specialistë, COVID ka një ndikim kompleks në organizëm. Ka patur shumë raste që është shfaqur diabeti post-Covid, psh. Gjithashtu, është raportuar dyfshim i vizitave në psikiatri për shkak të shtimit të ankthit, atakut të panikut apo ndryshimeve të gjumit dhe të humorit që kanë lidhje me çrregullim të stresit pas traumës së pandemisë apo dhe tërmetit. Kontrollet e munguara gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19 do të kenë pasoja në të ardhmen, për shkak se diagnostikimi i vonë i kancerit rrit jo vetëm koston e trajtimit dhe vuajtjen e pacientit, por ul shanset për ta fituar luftën me këtë sëmundje. Pra, padiskutim që COVID-19 ka ndikuar shumë në rritjen e sëmundshmërisë, shfaqjen e komplikacioneve për pacientë me sëmundje kronike, gjë që do të sjellë problematika afatgjata që do të ndikojnë shumë në shëndetin publik”, shpjegon Denisa Canameti, gazetare që mbulon sektorin e shëndetësisë, njëherazi përfaqësuese e Together for Life.
Një artikull i Këshillit për Marrëdhëniet e Huaja evidenton se që nga viti 2020, COVID-19 ka qenë shkaku i katërt kryesor i vdekjeve në mbarë botën dhe provat po shtohen se sëmundjet infektive kanë luajtur një rol të madh kontribues në numrin e vdekjeve nga ajo pandemi.
Prevalenca e lartë e obezitetit, diabetit dhe disa sëmundjeve të tjera të fshehta ka qenë një kontribues i madh në numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Amerikën Latine. Në përputhje me rrethanat, kombinimi i këtyre sëmundjeve me pabarazitë sociale dhe ekonomike ekzistuese, si dhe pandemia COVID-19 është etiketuar si një goditje e madhe.
“Prevalenca e sëmundjeve të fshehta, si obeziteti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti në veçanti kanë pasur implikime të thella për mënyrën se si vendet kanë kaluar në pandemi. Ndryshe nga ngarkesat e përgjithshme shëndetësore, vendet që kanë pasur vdekjet më të larta nga sëmundjet e fshehta kanë korresponduar me norma më të larta vdekjesh për frymë nga COVID-19. Kjo prirje bëhet edhe më e fortë obezitetin. Ky zbulim është në përputhje me gjetjet e konstatuara në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Itali, të cilat kanë treguar se individët e moshuar dhe ata me gjendje shëndetësore problematike shfaqin një rrezik vazhdimisht më të lartë të COVID-19 të rëndë. Studimi vlerësoi se rreth një në pesë individë globalisht mund të jetë në rrezik të shtuar të COVID-19 të rëndë nëse infektohet, kryesisht si rezultat i sëmundjeve të fshehta”, theksohet në artikull.
“Gjatë periudhës së epidemisë, pavarësisht fokusit kryesor në trajtimin e komplikacioneve të infeksionit nga COVID-19, dy kategori sëmundjesh ndërvepruan në komunitet: infeksionet me sindromë respiratore të rëndë nga coronavirusi (SARS-CoV-2) dhe një grup sëmundjesh jo të transmetueshme (sëmundjet kronike NCDs). Bashkimi i këtyre sëmundjeve, në sfondin e një pabarazie sociale dhe ekonomike, përkeqëson efektet e kundërta të secilës sëmundje më vete. Në Shqipëri situata e epidemisë nga COVID 19 dhe fokusi ndaj saj, solli mungesën e kujdesit shëndetësor ndaj disa sëmundjeve kronike. Të gjitha këto do të kenë një ndikim në rritjen e kërkesë për shërbime shëndetësore, duke përfshirë konsulta mjeksore, analiza dhe ekzaminime të ndryshme, si edhe mjekime me rimbursim”, shprehet Gazmend Koduzi, ekspert për shëndetësinë.
Shtimi i kërkesave për trajtimin e sëmundjeve që ka shkaktuar COVID 19 do të ketë një faturë financiare, e cila për momentin ende nuk është përllogaritur. Kjo për shkak të shtimit të numrit të vizitave, çka do të kërkojë më shumë staf mjekësor në dispozicion, por edhe kapacitete dhe infrastrukturë.
“Sigurisht që do këtë fluks më të madh në spitale, por kjo do të shoqërohet edhe me faturë financiare për shtetin. Nëse humbasim gjatë rrugës kuptimin e motos “Të parandalosh është më mirë se të kurosh,” do përballemi me fluks dhe me kërkesa të rritura. Në kushtet që buxheti i shëndetësisë është kaq shumë i kufizuar problemet do të jenë akoma më të mëdha”, shpjegon Canameti.
Artikulli Këshillit për Marrëdhëniet e Huaja thekson se është shumë e rëndësishme trajtimi i sëmundjeve të fshehta, që mund të shkaktojnë COVID të rëndë. Ndërprerja në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për trajtimin e këtyre smëundjeve jo vetëm që i vendosin njerëzit në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë me COVID-19, por gjithashtu përbëjnë një problem të rëndësishëm për ata që kanë nevojë për kujdes të rregullt. Një vlerësim për shërbimet e ofruara gjatë vitit 2020 për sëmundjet e fshehta, i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë zbuloi se 75 për qind e vendeve raportuan ndërprerje të konsiderueshme në shërbimet e këtyre sëmundjeve pas fillimit të pandemisë. Megjithëse shkaqet themelore për ndërprerjet ekzistuese ndryshonin në mënyrë të konsiderueshme, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta kishin më shumë gjasa të raportonin ndërprerje në shërbimet shëndetësore.
“Efektet e këtyre ndërprerjeve të shërbimit janë të gjera dhe ende nuk kuptohen plotësisht, por ato padyshim që po kontribuojnë si në vdekshmërinë e drejtpërdrejtë nga COVID-19, ashtu edhe në vdekshmërinë nga mungesa e shërbimeve”, theksohet në artikull.
Raporti i Together for Life mbi buxhetin e shëndetësisë evidenton bazuar në të dhënat e Eurostat se shpenzimet për shëndetësinë për Shqipërinë janë ndër më të ultat në Evropë dhe kjo tendencë vijoi edhe në vitin pandemik 2020. Shpenzimet nominale për banor në sektorin e shëndetësisë[1], të matura në Euro, sipas barazisë së fuqisë blerëse ishin 297 Euro në vitin 2020, e dyta më e ulët në Evropë pas Maqedonisë së Veriut (255 Euro) dhe shumë më e ulët sesa mesatarja e bashkimit Evropian (27 vende) prej 2.614 Euro.
“Sipas OBSH, sistemi ynë shëndetësor ka numrin më të ulët në rajon të mjekëve për frymë popullate 1.2 për 1000 banorë ( v.2017) si dhe shpenzimet më të ulta financiare nga buxheti dhe sipas këtyre të dhënave, nuk mund të ofrojë kujdes shëndetësor cilësor dhe në kohë në periudhë normale. Me qëllim përballimin e kërkesave në rritje, por edhe me situatën e COVID-19 në vitin e dytë, Ministria e Shëndetësisë duhej t’i përgjigjej me ndërhyrje financiare dhe investime në pajisje mjekësore, si dhe me krijimin e një tregu shëndetësor”, argumenton Koduzi.
Edhe gazetarja Denisa Canameti vlerëson se qeveria duhet të rrisë investimet në staf mjekësor dhe infrastrukturë, vecanërisht në spitalet e rretheve për të përballuar një fluks të rritur kërkesash që pritet të shoqërojë COVID 19. “Ne kemi pak mjekë për numër banorësh (1.2 për 1000 banorë), ka zona rurale që nuk janë të mbuluar me mjekë specialistë ose kanë një numër shumë të kufizuar mjekësh specialistë, si kardiolog, endokrinolog, pneumolog, infeksionist etj. Burimet njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha. Sipas disa të dhënave të fundit që ne kemi mbledhur Spitalet e Kukësit dhe Gjirokastrës nuk kanë mjekë infeksionistë; Spitalet e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit deklarojnë praninë e vetëm një pneumologu; Spitalet e Beratit, Dibrës dhe Gjirokastrës kanë vetëm nga një reanimator. Buxheti ndër vite nuk ka rritje domethënëse. Me buxhet të kufizuar dhe pa staf, sistemi shëndetësor ka mundësi të kufizuara për të përballuar këtë fluks”, deklaron Canameti.
Shëndetësia është konsideruar një sektor prioritar nga të gjitha qeveritë. Por deri më tani, ajo nuk është trajtuar si e tillë nga buxheti, në momentin e alokimit të fondeve. Raporti i Monitorimit të Buxhetit të Shtetit për Shëndetësinë vë në dukje faktin se “qeveria duhet të ndërtojë një strategji afatgjatë dhe të qëndrueshme për sektorin e shëndetësisë, i cili në vitet në vijim i duhet të përballet edhe me barrën e lartë të sëmundjeve që do të vijë natyrshëm edhe nga plakja e popullsisë”.
Ish Këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Kosta Bajraba shpjegon se situata me koronavirusin duhet të shërbejë si moment që vëmendja të kthehet nga shëndetësia. “Pandemia na rikujtoi se, jo vetëm Shqipëria, por përgjithësisht gjithë vendet e botës, OBSH dhe organizatat ndërkombëtare që merren me zhvillimin, duhet të bëjnë disa korrigjime në politikat publike: së pari, në lidhjen midis rritjes ekonomike dhe shëndetit: rritja ekonomike duhet të konsiderohet një ingredient i shëndetit të popullsisë dhe jo e kundërta. Së dyti, shëndeti publik duhet të konsiderohet një prioritet absolut i politikave shëndetësore. Së treti, mbrojtja nga epidemitë dhe pandemitë duhet të përbëjë një aspekt të rëndësishëm të programeve mësimore dhe të edukimit të popullsisë”, shprehet Bajraba.
Ndërsa eksperti Gazmend Koduzi thekson nevojën e një strategjie afatgjatë, që të përfshijë të gjithë elementët e nevojshëm. “Sektori shëndetësor ka nevojë për një strategji afatmesme dhe afatgjatë, duke përfshirë të gjithë elementët e tij: financimin, burimet njerëzore (numrin e mjekëve, rrogat e mjekëve dhe infermierëve), liberalizimin e tregut të sigurimeve shëndetësore dhe njëkohësisht atë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, shpjegon ai.
Ndërsa për gazetaren Denisa Canameti problem nuk kanë strategjitë, por mënyra sesi ato hartohen. “Sektori i shëndetësisë ka strategji dhe Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë për 5 vitet e ardhshme po punohet. Problemi është mënyra sesi hartohen këto strategji. Mungesa e vizionit për të zhvilluar sektorin, mungesa e konsultimeve me grupet e interesit, mungesa e ekspertizës është një problem shumë i madh sot i sistemit shëndetësor. Edhe pse të pa ftuar (ndonëse shpresojmë që do ketë një fazë konsultimesh për strategjinë e re që po hartohet) do të japim kontributin tonë, thelbësor dhe shumë të rëndësishëm, pikërisht në kapitullin e sëmundshmërisë kronike”, shprehet Canameti.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se shëndetësia ka shënuar rritje gjatë pjesës së parë të këtij viti me 10.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, duke kontribuar me 1.3% në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Kjo për shkak të shpenzimeve të rritura për pandeminë, kryesisht nga individët.