E rrëmbyer nga mafia shqiptare dhe e detyruar që të ushtronte prostitucionin në Itali, Adelina Sejdini u kthye në pikë referimi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo u vetëvra pak ditë më parë, pasi u braktis nga vendi që e kishte bindur të luftonte.
Adelina e ndjerë gjendej në Itali që prej vitit 1996, kur në moshën 22-vjeçare u rrëmbye nga Shqipëria dhe u dërgua përtej Adriatikut me një gomone. Ajo iu nënshtrua dhunës seksuale të përsëritur për javë të tëra. E detyruar në prostituonte për katër vite, Adelina Sejdini çoi në arrestimin e 40 trafikantëve të qenieve njerëzore pasi kërkoi ndihmë duke telefonuar 113, në numrin e urgjencës së policisë italiane: 80 u denoncuan, 40 trafikantë përfunduan në burg, me dënime nga 15 deri në 20 vjet.
Prej atij momenti dhe prej gati 20 vitesh, Sejdini ishte një pikë referimi për luftën kundër trafikimit seksual në Itali: shkroi libra dhe foli disa herë në radio dhe televizion, bashkëpunoi me prokurorët, agjencitë ligjzbatuese dhe shoqatat e zonës, mori pjesë në një mori nismash, debatesh dhe fushatash sensibilizuese. Ajo dëshmoi disa herë në parlamentin italian, ku më e fundit daton në qershor të vitit 2021.
Puna e saj ka bërë të mundur që të hidhet dritë mbi mekanizmat e mafias shqiptare, që menaxhonte një pjesë të konsiderueshme të prostitucionit në rrugë në Itali në vitet ’90. Tani, Adelina ka vdekur. Ajo u vetëvra më 8 nëntor pasi u hodh nga një mbikalim hekurudhor. Më 29 tetor tentoi t’i vinte flakën vetes para Ministrisë së Brendshme si një formë e fundit proteste për gjendjen e dëshpëruar në të cilën ndodhej.
Pavarësisht se ishte në Itali që në vitet ’90 dhe pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm në emër të të drejtave të grave, që e vendosën në kategorinë e heronjve dhe aktivistëve në shoqëri, të cilët sipas opinionit publik meritojnë shtetësinë italiane, Adelina prej vitesh gjendej në një harresë ligjore që ia bënte jetën të pamundur.
Historia tronditëse e Adelina Sejdinit, shqiptarja që u përdor
“Kam 18 vite në Itali me leje qëndrimi për arsye humanitare si viktimë trafikimi, leje që ka skaduar në prill dhe jam në pritje të rinovimit. Shteti italian shumë vite më parë më bindi të denoncoja, më premtuan mbrojtje, tani më mbroni deri në fund,” u shpreh ajo.
Por kërkesa ra në vesh të shurdhër. Adelina vuante nga kanceri i gjirit në fazën metastazë (kanceri i përhapur në pjesë të tjera të trupit) dhe i duhet të udhëtonte shpesh nga Pavia në Milano për të marrë trajtime, të cilat me zor i përballonte.
Pavarësisht se kishte refuzuar shtetësinë shqiptare për vite me radhë – madje preferoi të ishte pa shtetësi për të mos rrezikuar ndonjëherë të riatdhesohej në një vend ku hakmarrja e njerëzve për të cilët ajo ndihmoi të dërgoheshin në burg do ta prekte me siguri – në lejen e fundit ishte konsideruar shtetase shqiptare.
Historia tronditëse e Adelina Sejdinit, shqiptarja që u përdor
E përcaktuar nga një ekip mjekësh si 100% e paaftë për të punuar, leja e qëndrimit përfshinte gabimisht edhe faktin që duhet të punonte. Ky detaj, ashtu edhe refuzimi i vazhdueshëm për ta konsideruar atë si shtetase italiane, i krijuan probleme të mëdha aktivistes, të cilës iu refuzua banesa, përfitimet ekonomike, pensionet që i takojnë dikujt që e ka të pamundur të punësohet.
Pas shumë apeleve drejtuar institucioneve, ajo zgjodhi vdekjen.
“Nuk mund ta pranoj shtetësinë shqiptare. Që në momentin që e kanë shkruar, kam makthe. Më mirë do të ishte të vrisja veten.”
Adelina ndërroi jetë në moshën 47-vjeçare. Nëpër mediat italiane, shkruhet se aktivistja ndërroi jetë nga braktisja e shtetit italian, i cili i premtoi se do ta mbronte, por nuk e bëri.anabel