Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli sot nga foltorja e Kuvendit edhe për vettingun e politikanëve.
Ai u shpreh se ajo që ndodh jashtë sallës e ka origjinën po aty, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Ajo që ndodh jashtë kësaj salle e ka origjinën në këtë sallë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsioni. Prandaj zgjidhja që ofrojmë ne është vetingu i politikanëve. Në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa kriminale por ato të qytetarëve. Duke thyer bashkëpunimin e krimit me politikën, ne mund të thyejmë korrupsionin që po mbyt të ardhmen e Shqipërisë. Që parlamenti, qeveria, të punojnë për problemet e familjeve shqiptare, duhet që këto institucione të mos jenë strehë të atyre që abuzojnë në kurrizin e shqiptarëve.
E di që kjo nismë e shumëpritur, nga disa anatemohet si drakoniane. E shoh si po shkelet syri në ekrane mes atyre që janë të ngjashëm në halle. Ky rend i gjërave ka ndryshuar. Kundërshtarët e vetingut politik do të jenë një pakice e papërfillshme. Shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptarë që përfitojnë nga fundi i këtij makthi. Madje më të paktë duhet të ishin socialistët e PS që kundërshtojnë vetingun e politikanëve, sepse janë ata që kanë propozuar vetingut e noterëve dhe policëve. Ata duhet të dalin para shqiptarëve duhet të thonë para popullit përse nuk e votojnë ligjin. Në asnjë rast projekti ynë nuk do të ndalet. Asnjë nga derrat e kënaqur nuk do na ndalin. Ashtu siç luftuam për dekriminalizimin, ashtu do luftojmë për vetingun e politikanëve . Do hapim një horizont të ri shprese. Do normalizojë politikën”, u shpreh Lulzim Basha.