BOLIVI-Ish-presidentja e Bolivisë, Jeanine Áñez, e cila ndodhet në paraburgim me akuzën e organizimit të grushtit të shtetit, ka denoncuar këtë të premte se vuan nga anoreksia nervoze dhe se merr ngacmime brenda burgut.
Mediat e huaja kanë thënë se në një seancë dëgjimore, ish presidentja ka lexuar deklaratën e saj, duke shpjeguar se “kujtesa saj”, po dështon dhe se ajo është kthyer në një “viktimë të dhunës dhe torturës psikologjike”.
“Dje u vlerësova nga nutricionistja ime me një diagnozë të anoreksisë nervore, një diagnozë që padyshim më rëndon kequshqyerjen time,” tha ajo.
Ish presidentja Áñez ka thënë në seancë se asaj po i jepen ilaçe të dyshimta për shëndetin e saj dhe se në disa raste i kanë shkaktuar haluçinacione dhe shumë gjumë. Gjithashtu ajo ka deklaruar se një grup grash në burgun Miraflores, ku ajo ka ndenjur në paraburgim për më shumë se gjashtë muaj, i bërtasin dhe e ofendojnë atë.
“Është e rrezikshme për mua të zbres për të bërë banjo dielli në korridorin e burgut, gjë që nuk e kam bërë për më shumë se një muaj, natyrisht këto shkelje të të drejtave të mia bëhen nën vështrimin e pandjeshëm të autoriteteve të burgut,” tha ajo.
Zyra e Prokurorit njoftoi këtë të premte se ka thirrur guvernatorin e Santa Cruz, opozitarin Luis Fernando Camacho, për të dëshmuar më 7 tetor në kuadër të hetimit të çështjes së quajtur “grusht shteti” për të cilin Jeanine Áñez është ndaluar. Në të njëjtën mënyrë, javën e ardhshme, do të deklarojë edhe ish -Presidenti Jorge Quiroga.