Report Tv ka zbardhur dosjen e hetimit të SPAK që çoi në pranga ish drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin. Sipas dosjes thuhet se Gëllçi skualifikoi padrejtësisht një kompani nga gara për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin “Agro” të RTSH, prej 100 milionë lekësh. Sipas dosjes se siguruar nga Report Tv këto pajisje qe kushtuan afro 1 milion dollarë, duhej qe te dorëzoheshin ne RTSH per 45 dite, por ky afat është shtyrë nga Gëllçi.
Nga dy kompani që ishin në garë, sipas SPAK komisioni vleresues ka skualifikuar padrejtësisht njërën prej tyre, ndërsa ka favorizuar një kompani tjetër. Sipas raport të KLSH edhe kompania fituese nuk përmbushte kritere për t’u kualifikuar lidhur me tenderin prokurimit ‘’Blerje pajisje për kanalin Rtsh Agro’’.
Duhet theksuar se firma e skualifikuar ka bere rekurs në Komisionin e Prokurimit Publik dhe ka humbur, duke mos e kualifikuar as KPP si të përshtatshme për të marrë pjesë në tender, dhe duke i dhënë kështu të drejtë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave te RTSH që e ka skualifikuar.
Por sipas KLSH dhe SPAK, Gëllçi ka bërë tender pa marrë ende miratimin e AMA-s për të hapur kanalin Agro dhe ka bërë preventivin e projektit pa ditur nëse fondit prej 100 milionë lekësh do i miratohej nga Ministria e Financave. Një tjetër shkelje ishte edhe zgjatja e afatit të firmës fituese për dorëzimin e pajisjeve , për 45 ditëve që ishte në kontratë. Ai ka shpallur procedurën e tenderit edhe përpara se te merrte miratimin nga Bordi.
Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e qendrave vendore audiovizive Kukës, Gjirokastër, Shkodër, operatorëve sportivë,etj.
Sipas SPAK “i hetuari Thoma Gellço, pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues, në datën 24.12.2018, ku si afat përfundimtar i zbatimit të kontratës është përcaktuar data 06.02.2019. në datën 15.02.2019 ka nënshkruar një “kontratë shtesë për blerje pajisje për kanalin RTSH Agro” duke e zgjatur afatin deri në dt 22.02.2019.”
Gjithashtu në dosje thuhet se ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH -së, “me dashje ka kryer veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, që i kanë sjellë personave të tjerë, operatorit fitues përfitime materiale, duke dëmtuar interesat e ligjshme të operatorëve të tjerë ekonomikë që mund të jene vetëskualifikuar për shkak të mospërmbushjes së afatit 45 ditor si dhe keqmenaxhuar fondet publike, duke konsumuar kështu elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”.”
Ndërsa 3 punonjësit e RTSH, gjithashtu të arrestuar, Juljan Tapi, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë konsumuar elementët e veprës penale të ‘’Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve ne tendera’ kryer në bashkëpunim.
Hetimi është nisur fillimisht nga prokuroria e Tiranës dhe më pas i ka kaluar për kompetencë SPAK. Tenderi është zhvilluar në 2018, por vetem ë 2021 TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.
Lista e pajisjeve të blera:
1. Sistem për lidhjen e kamerës me CCU dhe fibër optike.
2. Sistem slow motion ne 6 kanale HD.
3. Mixer video me 8 kanale HD dhe dopio ushqyes.
4. Ruter video 3G/HD 32×32 me gjithë panel kontrolli 32×32.
5. Shasi modulare për 10 module dhe dy blloqe ushqimi,
6. Modul për embedim HD-SDI 4 kanale analog audio, 2 kanale AES.
7. Modul shmederes video SD/HD/3G-SDI dy kanalesh 1×4 cme dalje pasive.
8. Konvertues sinjali video SD në HD dhe anasjelltas./shqiptarja