Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me refugjatët afganë në Qytetin Studenti.
Ai i uroi atyre mirëseardhjen në Shqipëri, ose siç e konsideroi ndryshe “vendin e Nënë Terezës”.
Ndërsa tregoi dialogun që pati me një djalë të vogël që dëshironte të bëhej futbollist, Veliaj u rrëfeu afganëve se ai ka një histori të ngjashme, duke u shprehur se është larguar si refugjat nga Shqipëria që 10 vjeç.
Nga ana tjetër afganët thanë se janë ndjerë mirë në Shqipëri, madje kishte nga ata që shprehën dëshirën për tu angazhuar me punë në vendin tonë.
“Mirë se keni ardhur në Tiranë! Edhe kur hyra këtu takova disa nga fëmijët. Takova një djalë të vogël 10 vjeç që donte të behej futbollist. Edhe ai me kujtoi historinë time, sepse unë kur jam larguar nga Shqipëria si refugjat kam qenë 10 vjeç dhe doja të bëhesha futbollist. Kemi ecur tre ditë për të shkuar nga mali në Greqi. Kështu që kur dëgjoj historinë tuaj, qëndron ajo fjala që thotë kryeministri që para 30 vitesh edhe ne kaluam një histori të ngjashme si Afganistani. Në fillim të gushtit po kujtonim me kryeministrin eksodin në Itali. Është në historinë tonë dhe nderin e paraardhësve tanë që ne të kemi mundësinë të ndihmojmë sadopak. E kuptoj që qëndrimi juaj këtu është i përkohshëm, por sado që të zgjasë duam që të jetë qëndrim sa më i lehtë, dhe tua bëjmë jetën sa më të lehtë dhe nëse ka ndonjë gjë që mund të ndihmojmë të lutem na i bëni me dije. Dua të ndiheni si në shtëpi, na i thoni gjërat hapur që të jemi afër jush dhe t’ju ndihmojmë ekzaktësisht aty ku keni nevojë. Ne nuk jemi një qytet shumë i pasur por kemi një zemër shumë të madhe dhe duam që secili prej jush të ndihet si në shtëpi. Dhe nëse ka disa nga ju që duan të integrohen në jetën tonë, gjithashtu jeni të mirëpritur”, tha kreu i bashkisë së Tiranës.
Ndërkaq, një refugjate afgane tha se është ndjerë mirë nga kushtet në Shqipëri, ndërsa shprehu edhe dëshirën për të punuar në vendin tonë.
“Dua t’ju falënderoj për shpirtin e mirë. Jemi ndjerë mirë nga kushtet që kemi pasur. Kemi probleme shpirtërore shumë të mëdha. Shumica nga ne nuk e ka marrë të gjithë familjen me vete, dhe mendjen si janë ata atje. Secili nga ne ka qenë profesionist dhe punët i ka pasur të ndrequra, mirëpo nuk duam që këtu të ndihemi të tepërt. Do të donim që këtu të gjenim një punë që t’i shërbenim këtij vendi dhe vetes sonë”, tha ajo.