Një ngjarje tronditëse ka ndodhur së fundmi në Kosovë.
Bëhet fjalë për 36-vjeçarin e identifikuar si Baton Berisha, i cili është gjetur i pajetë në Pejë, 24 orë pasi u deklarua i zhdukur nga familja.
Ai është njëkohësisht dhe vëllai i moderatores së njohur Venera Berisha Morina.
Mediat vendase bëjnë me dije se i riu ishte larguar nga banesa e tij një ditë më parë.
E shqetësuar nga mungesa e kontaktit me të, e shoqja ka bërë një denoncim në polici.
Kërkimet bënë që në mesditë, Berisha të gjendej pa shenja jete në fshatin Sferkë të Pejës.
“Sot rreth orës 13:00 policia është njoftuar përmes telefonit nga familjarët se personi i cili dje ishte raportuar i zhdukur është gjetur në fshatin Sferkë të Pejës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente dhe mjeku e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka thënë zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Pritet që mjekësia ligjore të japë fjalën e fundit për shkaqet e vdekjes së Berishës. Mediat lokale shkruajnë se Berisha rrjedh nga një familje e njohur, shumë e arsimuar dhe e urtë nga Peja. Babai dhe nëna e të ndjerit kanë shërbyer për dekada në arsim dhe vetë 36-vjeçari nuk ka pasur precedent penalë.