Pas mbërritjes në Shqipëri të dy avionëve të tjerë me refugjatë afganë, që e kanë çuar në 457 numrin në total, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit thekson se këta qytetarë janë shpërngulur nga lufta dhe janë mikpritur në vendin tonë.
Sipas Ramës, në të gjithë opinionin ndërkombëtar, tashmë po flitet me admirim për Shqipërinë e besës.
“Arrin në 457 numri i afganëve që shpërngulen nga lufta dhe mikpriten në Shqipërinë e besës e të respektit për kujtesën, traditën, vetveten, për të cilën sot flitet me admirim në gjithë opinionin ndërkombëtar”, shkruan Rama.
Vetëm në orët e fundit në vendin tonë mbërritën dy avionë, njëri me 154 pasagjerë nga Afganistani dhe tjetri me 28.
Ata do të strehohen në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës. Mes tyre ka edhe fëmijë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të strehojë përkohësisht rreth 4 mijë afganë.