Artisti ballkanik i rock-ut Goran Bregoviç, ka folur së fundmi në një intervistë për “Nedeljnik”.
Ai ka deklaruar se është rrahur nga kriminelët në Beograd, pasi ishte shprehur për mediat në Sarajevë se Millosheviçi do i kthente njëqind vjet mbrapa.
“Më rrahën kriminelët në Beograd sepse u thashë gazetave të Sarajevës se Millosheviçi do të na kthente njëqind vjet mbrapa. Fatkeqësisht, është kështu. Ne humbëm kaq shumë kohë, duke jetuar me frikë për kaq shumë vite”, tha Bregović.
“Kur mendoj ata pesë ose gjashtë politikanë në krye të këtij vendi, me të vërtetë nuk e kuptoj se si ata flenë. Nëse do të ishin miqtë e mi, do të më vinte shumë keq për ata”, theksoi ai.
Ndërsa, i pyetur për popujt e ish-Jugosllavisë, Bregovic citoi Marksin: Gjendja e portofolit, përcakton edhe vetëdijen kombëtare.
Megjithatë, kur Jugosllavia u shpërbë, Bregovic refuzoi të mbante anë.
“Babai im është një katolik kroat, nëna ime është serbe ortodokse dhe gruaja ime është një myslimane. Kush duhet të vdiste nga këta. Familja e bashkëshortes time? Babi im? Apo, nëna ime? Unë nuk urreja askënd. Isha vetëm një njeri i trishtuar”, është shprehur ylli ballkanik i rockut.
Bregovic deklaroi se nuk ka më Sarajevë multikulturore.
Sipas tij, serbët qëndruan në pjesën lindore të qytetit, shumë kroatë nuk u kthyen më dhe vetëm disa qindra hebrenj boshnjakë mbetën.
“Është shumë e vështirë të besohet, por ne nuk kemi mësuar asgjë nga historia dhe, mbi të gjitha përsërisim të njëjtën luftë çdo pesëdhjet vjet”, tha Bregovic.
“Gjyshi im ishte një ushtar, babai im ishte një ushtar, edhe unë do të isha i tillë, por për fat të mirë isha në Paris, në fillimin e luftës”, ka deklaruar ai.
Për yllin ballkanik të rockut, Goran Bregovic, Sarajeva, qyteti i tij i lindjes është më shumë se një qytet.
Sarajeva është një “metaforë”, një jetesë multikulturore që prishet sa herë fillon një konflikt fetar, deklaroi ai në një intervistë për agjensinë franceze të lajmeve AFP.
“Gjithçka që shohim sot në Europë, e pamë për herë të parë në Sarajevë. Fqinji…, i cili është fqinji juaj më i mirë sot, ju qëllon nesër sepse jeni i një besimi tjetër”, tha Bregovic.
“Sarajeva ka qenë gjithmonë metafora ime e parë. Sot nuk është vetëm një emër qyteti, por është metafora e kohës tonë”, thekson ai.