Baton Haxhiu dhe Veton Surroi janë përplasur virtualisht përmes shkrimeve të tyre. Analisti nga Kosova, Baton haxhiu i është përgjigjur me të njëjtën mënyrë një analize të gjatë të Surroit, ku ky i fundit e cilësonte një bashkëpunëtor të shërbimit sekret serb. Pa e përmendur me emër, por duke e etiketuar si bashkëpunëtor të deritanishëm të afërt të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Surroi shkruante se Haxhiu nuk e ka kuptuar se luftërat në Ballkan nuk kanë përfunduar ende, bashkë me Shqipërinë zyrtare.
Duke marrë si shembulli festën e Borrës në Korçë ku është ftuar këngëtari serb, Goran Bregoviç, Surroi theksonte më tej se Haxhiu bashkë me Bregoviç e shumë të tjerë do të marrin pjesë në këtë festë birre, pasi problemi nuk qëndron aty, por tek fakti se analisiti dhe këngëtari nuk e kanë kuptuar që Kosova po jeton ende në luftë dhe për rrjedhojë, Bregoviç është këngëtari i luftërave të papërfunduara.
Sot, në një shkrim të gjatë gjithashtu, Haxhiu e cilëson Surroin ‘personi me flokë të mbjella dhe fytyrën e mbushur me botoks’, që sipas tij, po kërkon një litar se ku të mbahet duke punuar pranë kryeministrit Albin Kurti. Haxhiu shton se vetëm mendimi se një ditë, teksti referuar afganeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ishte i njëjtë për Kosovën dhe trupat amerikane të tërhiqen, është i frikshëm. Kjo pasi sipas Haxhiut, është e frikshme dhe akoma më e frikshme është edhe dyshimi karshi dialogut, që rritet ndjeshëm kur e sheh çfarë përzgjedhje emrash ka bërë qeveria për ta përfaqësuar në bisedime, përmes së cilave synohet dizajnimi i një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Këta persona i quan njerëz pa fuqi publike, pa potencë politike dhe pa mësimet e marra nga e kaluara me dështime e disa prej tyre.
Shkrimi i Baton Haxhiut
Pa Albin Kurtin dhe pa Lëvizjen Vetëvendosje në krye nuk do ta dinim sa e rëndësishme ka qenë gjithë ajo që është bërë në Kosovë. Nuk do ta dinim as sa punë e madhe është bërë dhe sa e jetueshme ka qenë Kosova. Dhe s’do ta njihnim ferrin politik që i imponohet jetës kur shkelet nga një dogmat politik. Kur qe vrarë një polic i njësive speciale të Policisë së Kosovës, në mbrojtje të rendit kushtetues në veriun e Kosovës, potezi politik i atëbotë kryeministrit Hashim Thaçi qe quajtur tradhti nga kritikët e atëhershëm, qeveritarë të sotëm, sepse kryeministri i paskësh dërguar në mision vetëvrasës policin hero Enver Zymberi dhe policët tjerë të Kosovës. Sot, gjithçka kalohet në heshtje. Edhe kur poshtërohet shteti i Kosovës. Bora Qorba, një këngëtar serb i viteve të 70-ta ishte në Leposaviq. Ai nuk është më as i njohur, as i aftë të këndojë. Madje, aty nuk ishte për të kënduar. Prandaj, koncerti i tij ishte i parëndësishëm. Po aq e parëndësishme ishte edhe hallakatja me tekste nacionaliste, në tentim për t’i shëruar serbët e Kosovës. E rëndësishme është vetëm e vërteta që prodhoi, si poshtërim i shtetit të Kosovës. Ky shtet as nuk mundet dhe as nuk do të ketë qasje në veri të vendit. Nuk ka guxim t’i mbledhë as faturat e energjisë elektrike, anipse gjithçka e ka të garantuar edhe me marrëveshje ndërkombëtare. Pajtohem plotësisht me Albin Kurtin: duhet bërë diçka. Por, Albini është peng i dogmatizmit të tij. Dhe jo vetëm ai. Edhe partia që udhëheq. Një lider dhe një parti që patosin e saj e ka dogmant dhe është krijuar mbi dogmatizëm nuk mund të bëhet pragmatiste. Nuk mund ta synojë lirinë. As të jetë fituese e politikës. Sepse çdo krijesë politike që lind nga dogmatizmi, nga ai do të vdesë.
Kështu ndodhi edhe me negociatat dhe ekipin negociator. Aty janë bashkuar dogmatë dhe nostalgjikë të Jugosllavisë, me shpresën që mund ta shpëtojnë njëri-tjetrin. Të dytët duke menduar se do ta gjejnë rrugën, për shkak të prekjes me të kaluarën. Ndërsa, të parët duke besuar se do ta vulosin fitoren. Në Kosovë, ka 30 vjet që përzierja e paqendrueshme jugosllav – anti-jugosllav, rikombinohet. Por, në përvojën politike s’ka shndërrime më shpërfytyruese se ai i dogmatit në politikan dhe komunistit në anti-komunist. Përveç shndërrimit të jugonostalgjikut në anti-jugosllav. Pas kaq vjetësh luftë për ta bërë Kosovën shtet në krejt kuptimet dhe tërë territorin, vendi po poshtërohet dhe liria po e prek ngadalë fundin e padëshirueshëm të saj. Vendi ynë i lirë po poshtërohet nga ata që pak kanë kuptuar për sakrificat që janë bërë. Ata njerëz i kanë harruar ose qëllimshëm po i anashkalojnë të gjitha, si një fiksion momental i kohës. Edhe pasi ngjarjet e Afganistanit e kanë nxjerrë në pah shijen e hidhur të jetës kur liritë humben si me magji brenda një nate – sikur në Iran dikur, ne qëndrojmë të poshtëruar brenda dogmës politike të imponuar nga një njeri. Asgjë nuk lëviz. Prandaj, gjithçka që po ndodhë tani në Afganistan është rikujtim i një të vërtete të thjeshtë: status quo-ja nuk është zgjidhje. Është shtyrje e tragjedisë për një tjetër kohë. Për një tjetër moment. Kështu ka qenë gjithmonë. Dhe kështu gjithmonë do të jetë. Një gjendje e tillë nuk është zhvillim i situatës, mbase as kthim prapa. Është ngecje. Dhe ndërtim i një iluzioni se më keq nuk mund të bëhet. Mirëpo, historia ka treguar se sa herë që njërzimi ka menduar që nuk mund të ketë më keq, ka rënë edhe një shkallë më poshtë. Kosova mund të dallojë në shumëçka, por njëjtë si Afganistani e ka nevojën e një trupe ushtarake të huaj për ta mbrojtur nga vetja dhe nga të tjerët. Prandaj, është e pakuptueshme se si qeveria për ta mirëmbajtur mitin që e kanë ndërtuar me ushtrinë e vet virtuale, ruan status quo-në, që shpërthimin mund ta ketë në rrugën njëdrejtimëshe drejt katastrofës.
Tragjedia afgane është thirrje për zgjim. Kjo qeveri e ka mundësinë që ta kapitalizojë këtë thirrje në një zgjidhje përfundimtare. Por, a e ka guximin dhe aftësinë? Dyshoj t’i ketë. Presidenti Joe Biden, kur iu drejtua kombit për ta arsyetuar vendimin për tërheqje të ushtarëve amerikanë nga Afganistani, tha se afganët dështuan në dy çështje thelbësore: ta gjejnë pajtimin politik mes vete dhe ta negociojnë një marrëveshje me talebanët. Nëse në tekstin e njëjtë fjala “afganët” zëvendësohet me “kosovarët” dhe “talebanët” me “serbët”, fjalisë i ruhet i gjithë kuptimi. A do të thotë kjo që ushtarët amerikanë do të largohen nesër nga Kosova? Mund ta bëjnë. Mund të mos e bëjnë. Por, vetëm dyshimi është i frikshëm. I frikshëm është edhe dyshimi karshi dialogut, që rritet ndjeshëm kur e sheh çfarë përzgjedhje emrash ka bërë qeveria për ta përfaqësuar në bisedime, përmes së cilave synohet dizajnimi i një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Pa fuqi publike, pa potencë politike dhe pa mësimet e marra nga e kaluara me dështime e disa prej tyre, shansi i fundit i Kosovës është lënë në duart e njerëzve që specialitet e kanë shpërdorimin e shanseve. Të shumë të tillave.
Disa prej tyre, në veçanti njëri, me etjen e sëmurë për t’u pranuar, me personalitetin refuzues ndaj gabimeve që nuk pushon duke i bërë dhe me smirën e dështakut (që dështimin e tij e përkufizon jo si padije, por si rastësi dhe pjellë e rrethanave të jashtme), rrezikojnë ta çojnë në erë të ardhmen dhe ta fshijnë kujtimin për të kaluarën. Të vërtetat, po s’u thanë shpesh, rrezikojnë të harrohen. E kaluara e Kosovës nuk është një mjegullnajë, në të cilën nuk dihet kush ku ishte dhe çfarë përfaqësonte. As nuk është çështje perspektivash. Të gjithë i kishim pozicionet e qarta. Në mjegull u investua më pas, kur përfundimi ishte ai që ishte. Prandaj, tani duhet bërë diçka. Momenti është i papërshtatshëm për “hapje rruge”. Nuk mund të rrezikojmë gjithçka, për t’i kënaqur apetitet e një maliciozi që botën e do mbraptsht, sepse ashtu ripozicionohet në krye. Negociuesit supozohet të jenë përfaqësues jo vetëm të politikave të qeverisë, por të dëshirave të njerëzve dhe synimeve të një populli. Në Kosovë disa mund të duan bashkim me Shqipërinë. Të tjerë, Kosovën shtet. Disa edhe mund të kenë gjetur pajtim me një Asociacion brenda Kosovës. Një pjesë tjetër, për qartësim përfundimtar, janë për korrigjim territori.
Por, në ekipin negociator të Kosovës ka njerëz që s’e duan asnjërën nga këto. Ata kërkojnë kthim prapa. E duan Shqipërinë, por si vend për pushime. E duan Kosovën brenda një shteti tjetër, jo shtet më vete. Nuk duan Asociacion brenda Kosovës, por vetë Kosovën një Asociacion brenda një tjetër shteti. Edhe kufijtë e Kosovës i duan të tjerë, por vetëm si zona kadastrale brenda një tjetër kufiri të madh. Dhe ky nuk është një parashikim racional për të ardhmen e përbashkët, por një argumentim emocional për të kaluarën individuale. Një ecje prapa në të ardhmen, sepse kur realiteti zhgënjen është dëshirë universale e njerëzve për t’i bërë vizitë të kaluarës. Këtë vizitë në histori është mirë ta bëjmë të gjithë, për t’i kuptuar dhe kujtuar rreshtimet në periudha të caktuara. Kush janë njerëzit që negociojnë sot për Kosovën dhe çfarë deshën ata për vete dje, para se të duan çfarëdo për vendin sot? Shpalosja e kujtimeve mund të përbëjë episode të hidhura, por s’ka mënyrë më elegante për t’u nxjerrë e vërteta e zhveshur, sesa përshkrimet përmes shkronjave. Fiksioni është më shumë sesa argëtim. Por, jo shije para pasqyrës. Ndërkaq, i mbyturi ne botoks kërkon një litar nga i cili do të mbahet. Vendi që ka zënë nuk është për ata me flokë të mbjellura dhe fytyrë të shpuar më gjilpëra. Sepse liria është shumë e shtrenjtë për t’ia besuar Morenës. Liria është tepër e çmuar për t’ua lënë në dorë atyre që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan me të. Sidomos atyre që nuhasin afër zyrës së kryeministrit dhe mendojnë se Kosova është një katund pa qen, e ata mund të ecin pa shkop.
Shkrimi i Veton Surroit:
Një bashkëpunëtor i deritanishëm e i afërt i kryeministrit të Shqipërisë ka bashkëpunuar me Shërbimin sekret serb në Kosovë. Ky konstatim nuk është pjesë e konspiracioneve të rëndomta mbi “spiunllëkun” të këtij apo atij personi. Bashkëpunëtori i deritanishëm i afërt i kryeministrit të Shqipërisë këtë e ka pranuar publikisht në Gjykatën Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë në Hagë. Ka pranuar se Shërbimi sekret serb i ka kërkuar që të ndihmojë të hapet një proces negociatash me një figurë të respektuar shqiptare të Kosovës në mënyrë që të shmanget negociata me Dr. Rugovën, figurë prijëse e shqiptarëve të Kosovës e njëkohësisht që prej pozicionit të Dr. Rugovës për pavarësi të vendit të kalohet në pozicion të “Republikës së tretë” brenda “RFJ-së”. Bashkëpunëtori këtë kërkesë e ka zbatuar. Këtë do ta zbulonim, vetëm pas lufte, të gjithë ne të tjerët që në një mënyrë a tjetër e kishim njohur bashkëpunëtorin e Shërbimit sekret serb. Dhe, kjo çështje do të riaktualizohej brenda strukturave shtetërore të Shqipërisë kur personi në fjalë do ta kërkonte shtetësinë e Shqipërisë. Atëbotë, e në kundërshtim me procedurat ligjore, do të shmanget informata mbi bashkëpunimin me Shërbimin sekret serb dhe do të jepej shtetësia nga presidenti në detyrë.
Gjatë ditëve të kaluara të kësaj vere të nxehtë do të zhvillohen tri procese, që do të më shërbejnë për të përkujtuar rastin e bashkëpunëtorit. I pari është vendimi i Valentin Intzkos, tashmë ish-kryeadministrator ndërkombëtar i BeH-së, që të shpallë mohimin e gjenocidit në BeH si vepër penale. I dyti është shpallja e aktgjykimit të Jovica Stanishiqit, shef i dikurshëm i Shërbimit sekret serb (që i kërkoi favore bashkëpunëtorit) me të cilin veprimtaria e tij në luftën e Bosnjë-Hercegovinës trajtohet si vepër e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të shtetit të tij, Serbisë. Dhe i treti është zallamahia rreth ftesës që Goran Bregoviçit, një figurë prijëse e rokut jugosllav të viteve ‘80 dhe tashmë figurë ndërkombëtare e muzikës, të marrë pjesë në Festivalin e Birrës në Korçë. Valentin Intzko tregoi se kishte imponuar ligjin mbi mohimin e gjenocidit në këtë kohë për arsye të thjeshtë, sepse vetëm tash u bë i plotfuqishëm aktgjykimi i Radovan Karaxhiqit, ish-prijës i serbëve të BeH-së, me të cilin ai gjykohej, mes tjerash, edhe për gjenocidin në Srebrenicë. Pra, ndonëse vepra e gjenocidit qe kryer më 1995, vetëm më 2021 është e mundur, me dënimin e Karaxhiqit që kjo vepër penale është sanksionuar si e tillë, rrjedhimisht mohimi i saj përbën vepër tjetër penale, sipas traditës më të mirë evropiane të ndërtuar pas gjykimeve të Nyrembergut në Gjermaninë pas-naziste.
Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin e Bosnjë-Hercegovinës, shtet në të cilin pasardhësit e Radovan Karaxhiqit, të shpërblyer me Republikën serbe, ndërtojnë politikën e tyre mbi mohimin e gjenocidit. Për ta, gjenocidi në Srebrenicë ishte pjesë e luftës, “ku të gjithë vranë të gjithë të tjerët, të gjithë ishin përgjegjës, të gjithë ishin viktima”. Gjykimi i Jovica Stanishiqit tregoi se nuk ishin të gjithë përgjegjës e as të gjithë viktima. Ai u dënua sepse, ndonëse nuk ishte përgjegjës i drejtpërdrejtë për vrasjet në BeH, ishte përgjegjës sepse qe në krye të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, që kishte për qëllim dëbimin me dhunë të boshnjakëve myslimanë nga shtëpitë e veta dhe vendosjen e mbisundimit serb në ato territore. Kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale, sipas aktgjykimit, kishte mbështetjen e plotë organizative të Republikës së Serbisë. Dhe Goran Bregoviqi, një simbol i muzikës së ish-Jugosllavisë, i ftuar në Festivalin e Korçës nxiti fërkimin e radhës e bukur intensiv politik e kulturor në diskurset publike të Kosovës e Shqipërisë. Në të folmen shqipe u ravijëzua konfrontimi i argumentit mbi të drejtën që shqiptarët të ftojnë figura kulturore që nuk e kalojnë një provim imagjinar moral (e të tillë janë të gjithë) mbi qëndrimin ndaj luftës në Kosovë (apo nëse tëhollohet, edhe ndaj Milosheviqit, Bosnjës, etj.).
Të tri proceset kanë një emërtim të përbashkët, të luftës së papërfunduar e vonesës për ta pranuar këtë. Ligji për mohimin e gjenocidit në BeH nxori në pah atë që do të duhej të ishte shtyllë morale e ndërtimit të BeH-së para një çerekshekulli. Pra, që në vitin 1996, do të duhej të ishte e qartë se shtylla morale e ndërtimit të shtetit demokratik të BeH-së do të ishte që nuk mund të mohohet gjenocidi, ashtu siç nuk është e paramendueshme sot që të ekzistojë një demokraci shembullore evropiane në Gjermani e që të mos mbështetet mbi shtyllën morale të dënimit të gjenocidit. Fakti që kjo bëhet më 2021, tregon se lufta në BeH, përfshirë gjenocidin, vazhdon në inversionin e Von Clauzeëitzit, që thoshte se lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera, vazhdim i luftës me mjete të tjera. Dhe, kjo është një çështje me rëndësi për Serbinë. Dënimi i J. Stanishiqit nxori në një shkallë më të lartë atë që kishte bërë më herët Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila në padinë e BeH-së për gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë kishte konstatuar se Serbia nuk ishte përgjegjëse për organizim e ekzekutim, por ishte përgjegjëse për mosveprim për ta penguar atë. Në këtë rast, Serbia u dënua, nëpërmjet Stanishiqit, për ndërmarrje të përbashkët kriminale në Kroaci e BeH, pra shteti kishte ndërmarrë veprime për të ndihmuar krimet kundër njerëzimit në pika të ndryshme ndaj kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë.
Goran Bregoviqi hyn në këtë rrëfim si një artist i Sarajevës, i ikur në Beograd gjatë luftës e pastaj edhe në vende të Evropës. Ka mundur, por nuk e ka bërë, të dënojë masakrën që i bëhet qytetit të tij të lindjes nga ana e forcave serbe. Nuk ka mundur të kontrollojë se këngët e tij do të shërbejnë për njësitet paramilitare që do të hyjnë në Gjakovë dhe nga altoparlantët do të shënojnë momentin dramatik të vendimit të ekzekutimit të fëmijëve, grave e burrave të atij qyteti. Debati rreth pjesëmarrjes së Goran Bregoviqit në Festivalin e Birrës në Korçë nuk është real, nuk ka të bëjë me të vërtetën. Çdo artist nga kudo do të shkojë në një festival birre dhe kjo nuk është fare çështje. Çështja është se luftërat e ish-Jugosllavisë nuk kanë përfunduar. Po, Sllovenia është vend i pavarur dhe anëtar i BE-së. Dhe po, Kroacia është gjithashtu vend anëtar i BE-së, por për Serbinë është vend i cili ka spastruar pothuajse të gjithë serbët nga andej.
Dhe, kjo është politika serbe e pothuajse një dhjetëvjetëshi të kaluar e një dhjetëvjetëshi në ardhje. Për Serbinë luftërat nuk kanë përfunduar, sepse Serbia u nis në luftë duke deklaruar se serbët nuk mund të jenë pakicë. Pra, nuk mund të jenë pakicë në BeH, Mal të Zi, Kosovë; rrjedhimisht, nuk mund të thuhet se lufta ka përfunduar derisa të arrihet që serbët të jenë popull shumicë a me të drejtë shumice. Për Kosovën, të tejndieshme ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me serbët e Serbinë, Bregoviqi është edhe një argument se si Serbia nuk e kupton atë që Kosova ende nuk po arrin ta shprehë, se lufta për të nuk ka përfunduar, se Kosova ende po jeton në luftë. Për Shqipërinë zyrtare, që përpiqet ta shikojë Ballkanin nga racionaliteti i një Evrope të shekullit XXI të aspiruar sot nga parisienët, lisbonasit dhe talinasit, Kosova është ai kushëriri i varfër i fshatit që ta përkujton prejardhjen, dhe kështu pengon që ti ta adhurosh G. Bregoviqin dhe bendin e tij, të cilin banorët e Prishtinës për herë të parë e panë në sallën 25 Maji, më 1975, pak a shumë kur në burg futej Todi Lubonja, sepse në festivalin e këngës që ai kishte organizuar në RTSH këngët që u kënduan nuk ishin brenda kutit të Enver Hoxhës.
Debati në të dy anët e kufirit që ndan në shumicë shqiptarët më duket temporal. Pra, Shqipëria zyrtare nuk pranon se kjo luftë nuk ka përfunduar e Kosova zyrtare nuk po arrin që t’ia shpjegojë të kundërtën, se lufta po vazhdon me mjete të tjera. Ndërkohë Shqipëria dhe Kosova zyrtare madje legjitimuan një bashkëpunëtor të Shërbimit sekret serb: nëse ai është pjesë e sferës publike, pse nuk bëka Goran Bregoviqi? Goran Bregoviqi, siç ka qejf ta quajë veten, muziktar i dasmave dhe vdekjeve, kështu bëhet një viktimë kolaterale, bëhet këngëtari i luftërave të papërfunduara. Bashkëpunëtori i Shërbimit sekret, për dallim, mbetet pjesëmarrës aktiv i atyre luftërave. Për më tepër ky debat është i vendosur në një makroplan evropian: BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen që nga viti 1999 ta bindin veten dhe të tjerët se luftërat në Ballkanin Perëndimor kanë përfunduar, por nuk po shënojnë shumë sukses. Bashkëpunëtori dhe Bregoviqi po tregojnë se gjendja është ndryshe./dosja