Avokati i njohur Spartak Ngjela ka folur së fundmi për nismën “Ballkani i Hapur”.
Me anë të një reagimi të fortë ai shprehet se nëse SHBA flet kundër kësaj teme, atëherë kryeministri Edi Rama rrezikon të bjerë nga pushteti.
REAGIMI I PLOTE:
Shumë mirë po ia bën Kosova kryeministrit të shpëlarë shqiptar.
Pse është i shpëlarë?
Sepse nuk e di, ose bën sikur s’e di se cila është sjellja aktuale e Serbisë kundër botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Ja cilat janë aktet e saj:
Serbia bën domping në mallrat që shet në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe u paguan firmave serbe deri në 30 përqind të çmimit për çdo mall të eksportuar në Kosovë, që të dominojë tregun shqiptar në Ballkanin Perëndimor.
Kurse, me 42 milionë dollarë, me krerët e lartë të politikës shqiptare, Serbia ka shkatërruar 500 fabrika në Shqipëri, në vitet 1992 -1994;
Paguan shumicën e shtypit të njohur evropian për të botuar artikuj kundër gjendjes në Shqipëri, me shpifje kundër saj, për të neutralizuar turizmin në Shqipëri.
Ka ngritur ekipe me para, për të mos lejuar njohjen e Kosovës nga shtete të tjera, dhe, gjithashtu, bën të njëjtat përpjekje, me para, që të largojë nga njohja shtetet që kanë njohur Kosovën.
Paguan në Tiranë dhe në Prishtinë politikanë shqiptarë dhe gazetarë, sidomos të ashtuquajturit opinionistë, që të flasin kundër Kosovës, Gjergj Kastriotit, dhe të nxijnë historinë e Shqipërisë.
Bashkë me Moskën, Beogradi ka blerë dhe po paguan tre stacione televizive në Shqipëri, nga stacionet me emër, por, dhe mbi 60 përqind të portaleve të reja i kanë paguar ata. Të gjitha me propagandë antishqiptare.
Ka edhe shumë ndërhyrje të tjera si këto. Po, a i di këto Edi Rama? apo bën sikur nuk i di!!!
Pse po fle shteti shqiptar, e nuk po vepron kundër tyre, kur shërbimet ia kanë dërguar të gjitha këto presidentit dhe kryeministrit aktual të Shqipërisë?
E pra, pse kryeministri shqiptar po bën të kundërtën?
Atëherë, pse e do Ballkanin e Hapur me pasion infantil, ky Edi Rama, që të ulë shpenzimet e Beogradit dhe Moskës kundër Shqiprisë dhe Kosovës?
Që të rrisë edhe më tej agresivitetin e Moskës dhe Beogradit kundër Shqipërisë dhe Kosovës?
E pra, pse e do?
Të gjitha këto, na çojnë në përfundimin se Serbia është në krizë, Amerika nuk e ndihmon, kurse edhe Rusia është në krizë për vete.
Atëherë, ç’ka kryeministri shqiptar që është kaq i shqetësuar?
Ose nuk e kupton, për nga formimi i dobët që ka në lidhje me tregun, ose ky ka hallin e Serbisë që të dalë nga kriza, e cila mund të shkojë shumë thellë.
Po, si mund të flitet për Shqipërinë dhe Kosovën në një treg të hapur me Serbinë, kur ende nuk ekziston një treg i hapur Shqipëri – Kosovë?
Ja kjo është pyetja.
Po kjo skemë Vuçiç – Rama, a ndërtohet dot pa Kosovën dhe Malin e Zi?
Jo, Ramës i dështon aksioni për të shpëtuar Serbinë nga kriza, nëse nuk Bashkohet Kosova.
Por, vërtet ka menduar për këtë gjë Rama?
Nëse e ka menduar, fatkeqësi për të. Pa Kosovën, edhe Rama, edhe Vuçiç, ka shumë mundësi të rrezikohen, ose të rrëzohen nga kundërshtarët e tyre politikë, në Vuçiç në Serbi dhe Rama në Shqipëri.
Por, le të shohim se si do të precipitojnë ngjarjet, sepse Amerika nuk po flet.
Por, nëse Amerika flet kundër skemës politike të Ballkanit të Hapur, që ngjan të jetë një skemë antiamerikane, Rama ka shumë gjasë të rrëzohet.