BE-ja dëshiron ta ringjallë ekonominë e saj me ndihma prej 750 miliardë eurosh. Projektet pas pandemisë COVID-19 do të përqendrohen tek mjedisi dhe digjitalizimi.
Edhe nëse shumë do të zgjidhnin me siguri fjalë më pak entuziaste sesa presidentja gjermane e Komisionit të BE-së, një gjë është e sigurt: Fondi i Shpëtimit Covid-19, i quajtur Next Generation EU (NGEU) – Brezi tjetër BE, është një risi, sepse për herë të parë BE-ja po merr borxhe të përbashkëta. Gjatë krizave të tjera, si kriza financiare një dekadë më parë, kjo ishte e paimagjinueshme.
Për paraqitjen e këtyre planeve Komisionin Evropian kishte caktuar si datë orientimi 30 prillin, por deri tani vetëm pesë nga 27 vendet anëtare kishin dërguar dokumentet përkatëse në Bruksel.
Programe për rimëkëmbjen e ekonomisë
Nga pikëpamja ekonomike për Gjermaninë është shumë më e rëndësishme që shtetet e tjera të BE-së të mos bien në krizë të thellë për shkak të pandemisë. “Gjermania do të jetë e suksesshme vetëm nëse Evropa është e suksesshme”, është një fjali që ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, e përsërit shpesh gjatë pandemisë.
Për ta theksuar edhe një herë këtë Ministri gjerman i Financave Scholz i prezantoi planet përkatëse në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij francez Bruno Le Maire. Franca, fqinji i Gjermanisë, është një partner i rëndësishëm në rrjetin e vendeve evropiane.
Le Maire njoftoi se Franca do ta shpenzojë gjysmën e parave të BE për mbrojtjen e klimës. Një e katërta e parave është caktuar për ndryshimin digjital. Franca gjithashtu planifikon të mbështesë të rinjtë, për shembull përmes trajnimeve profesionale. “Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se të rinjtë po mabjanë barrën më të madhe të krizës. Ne u kemi një borxh dhe do t’ua paguajmë”, tha Bruno Le Maire.
Italia përfituesja kryesore
Franca do të marrë rreth 40 miliardë euro si grante. Franca renditet kështu në vendin e tretë të përfituesve më të mëdhenj pas Spanjës dhe Italisë. Këto para do të përbëjnë rreth 40 përqind të programit francez të rindërtimit France Relance që kap shumën 100 miliardë euro.
Me rreth 200 miliardë euro Italia merr pjesën më të madhe nga fondi i rindërtimit.
Më shumë se gjysma e shumës janë hua afatgjata. Arsyeja për këtë është që t’i mundësojë Italisë të marrë përmes BE-së më lirë hua në tregun e kapitalit sesa nëse do t’i merrte huatë vetë. /DW/