Japonia ka ndihmuar Kosovën me disa pajisje mjekësore në luftën kundër Koronavirusit. Bëhet me dije se vlera e pajisjeve mjekësore të dhuruara nga Japonia për Kosovën kap vlerën e 810 mijë eurove.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar më herët se pjesë e ndihmave ishin 20 pompa shiringash si dhe 10 elektrokardiograma.
Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore u mbajt nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.
Ministri Vitia shprehu konsideratat e tij më të larta për mbështetjen e vazhdueshme të popullit Japonez dhe Qeverisë së Japonisë për sektorin shëndetësor me theks të veçantë në mbështetjen gjatë pandemisë me masa mbrojtëse, ilaçe e pajisje të ndryshme.
Po ashtu, gjatë stinës së verës në Kosovë pritet të arrijnë edhe pajisje të tjera si aparatura me ultratinguj dhe rrezet-X të lëvizshme.