“Il Pendito”, Elvis Bardhi është “çelësi” i zbardhjes së vrasjes së dyfishtë që tronditi Elbasanit vite më parë me vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqiri. Me statusin e dëshmitarit dhe të të penduarit, Bardhi, një ish-i dënuar nga Gjykata e Kavajës, ka pohuar pranë policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit, se ishte shok i ngushtë dhe një ndër njerëzit e paktë të besuar të Gentian Beqirit dhe një ndër të paktit që hynte në shtëpinë e tij, teksa ai ishte nën arrest shtëpiak. Kështu ndodhi edhe në ditën kur ai shkoi për ta vrarë nën shoqërinë e Olsi Lekut, një tjetër i dyshuar i ndaluar jashtë vendit.
Dëshmitari tregoi para prokurorëve të dosjes sesi Leku e tërhoqi në shoqëri Bardhin, derisa e bindi që të takohej me Çapjat. Këta të fundit sipas tij i premtuan para për të bërë vrasjen, për të cilën dy të rinjtë përdorën ‘nxitës’, si alkool dhe lëndë nakortike.
“Ardian Çapja më ofroi 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit. Kryerja e vrasjes ishte i vështirë, sepse Beqiri ishte në ruajtje nga policia. Takimet me Ardianin i kam pasur në hotelin e tij. Unë qëllova Gentianin, ndërsa Olsi të atin e Gentianit,” – ka rrëfyer dëshmitari i drejtësisë për krimin e dyfishtë, teksa Gentiani ndodhej nën arrest shtëpie dhe ruhej me policë, pasi dyshohej se kishte vrarë Sokol Çapjan në vitin 2005.
Prokuroria akuzon Jorgo (Olsi) Lekun si organizator të kësaj vrasjeje në 12 gusht të vitit 2012 pasi kishte marrë porosinë nga Çapajt, me të cilët kishte lidhje familjare nga ana e bashkëshortes. Ditën e vrasjes, të dy konsumuan lëndë narkotike dhe alkool, e më pas të maskuar u ngjitën për të në banesë, disa minuta pasi nëna dhe gruaja e të ndjerit kishte dalë për të bërë pazaret. Ndërsa në shtëpi mund të futeshin vetëm personat e njohur sepse familja i trembej hakmarrjes nga fisi Çapja, por të rinjtë nuk e kishin këtë problem pasi kishte fituar besimin e familjarëve.
Ndërkohë që Olsi Leku vinte pas me Nezir Beqirin, Ervis Bardhi është futur brenda duke nxjerrë armën për të qëlluar në kokë në drejtim të Gentjan Beqirit. Pas plumbit të parë, i cili e ka marrë viktimën në faqe, arma ngec dhe në këtë moment futet në banesë Nezir Beqiri, i cili sheh të gjithë skenën. Në këtë moment ai qëllohet me grushte dhe shkelma nga Olsi Leku duke u shtrirë në tokë. Nga ana tjetër, Ervis Bardhi kishte qëlluar edhe tre herë të tjerë në drejtim të Gentjan Beqirit duke e lënë të vdekur në vend. Ndërkohë, Olsi Leku merr nga dhoma e gjumit një jastëk dhe mbyt me të, babanë e moshuar të Gentianit.
Fillimisht ngjarja u raportua se ndodhi pas konfliktit për një vajzë. Kjo pasi Etjen Cani, shkonte te banesa e Gentjan Beqirit dhe me vete merrte dhe një shoqe të tij. Pikërisht nga Cani dhe Ervis Bardhi u afrua me viktimën e tij./dosja