Një ngjarje e përmasave të rënda është ajo që ka ndodhur së fundmi në SHBA.
Raportohet se një vajzë e klasës së 6 u fut me armë në shkollën e saj në Ajdaho dhe plagosi dy nxënës dhe një pastrues.
Por në fund për fat të mirë, ajo është neutralizuar nga një mësuese e cila ka ndërhyrë për të parandaluar një tragjedi të mundshme.
Sherifi i Qarkut të Xhefersonit, Steve Anderson tha se vajza nxori një pistoletë nga çanta dhe gjuajti disa herë brenda dhe jashtë Shkollës fillore Rigby, në qytetin e vogël të Rigbit, rreth 145 kilometra në jugperëndim të Parkut Kombëtar Yellowstone.
Një mësuese e çarmatosi vajzën dhe e mbajti atë deri kur policia arriti në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi atë, thanë autoritetet, pa dhënë detaje të tjera. Autoritetet thonë se po hetojnë motivin e sulmit dhe po përpiqen të mësojnë se ku e kishte marrë armën vajza.
Nxënësja është nga qyteti Ajdaho Falls, tha sherifi Anderson. Ai nuk e publikoi emrin e saj.
Dr. Michael Lemon, drejtori për traumën në Qendrën Rajonale Mjekësore të Ajdahos Lindore, tha se i rrituri i plagosur u trajtua nga një plagë që kishte marrë në një nga gjymtyrët dhe u nxor nga spitali. Dr. Lemon tha se plumbi kishte përshkuar gjymtyrën.
Të dy nxënësit e qëlluar u mbajtën në spital gjatë natës dhe njëri prej tyre mund të ketë nevojë për ndërhyrje krirugjike, por ata janë në gjendje të qëndrueshme, tha Dr. Lemon.Njëri nga nxënësit kishte plagë në dy gjymtyrë, shtoi ai.
Rreth orës 9:15 të mëngjesit policia u njoftua për incidentin me armë. Agjenci të shumta të zbatimit të ligjit u përgjigjën dhe nxënësit u evakuuan në një shkollë të mesme aty pranë për t’u bashkuar me prindërit e tyre.
“Unë dhe shoku im i klasës ishim vetëm në klasë, me mësuesin tonë, ne po studionim, kur papritmas, dëgjuam një zhurmë të madhe dhe pastaj dy krisma të tjera. Më vonë pati ulërima”, tha 12-vjeçari Yandel Rodriguez. “Mësuesi ynë doli jashtë për parë se çfarë kishte ndodhur dhe ai pa shenja gjaku.”
Nëna e Yandel-it, Adela Rodriguez, tha se ata ishin mirë, por “akoma pak të shokuar” nga të shtënat ndërsa po largoheshin nga mjediset e shkollës.
“Sot ne patëm rastin më të rëndë që një distrikt shkollor mund të ketë”, tha Drejtori i Departamentit të Arsimit në Qarkun e Xhefersonit, Chad Martin.
Zoti Martin tha se shkollat do të mbylleshin në të gjithë rajonin për t’u dhënë nxënësve kohë me familjet e tyre, por ai shtoi se ekspertë të shëndetit do të jenë në dispozicion të nxënësve duke filluar nga mengjesi i së premtes.
Lucy Long, një nxënëse e klasës së gjashtë në Shkollën Fillore Rigby, i tha gazetës Post Register në Ajdaho Falls se klasa e saj u vendos në masa të jashtëzakonshme pasi u dëgjuan të shtënat me armë, duke fikur dritat dhe kompjuterët dhe duke i rreshtuar nxënësit pranë murit. Ajo tha se kishte parë një sasi të vogël gjaku në korridor, kur policia e nxorri atë dhe nxënësit e tjerë nga klasa.