Prokuroria e Tiranës ka vendosur pushimin e hetimeve për shkaktim të vetëvrasjes, lidhur me ngjarjen e rëndë të 10 muajve më parë, kur nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Jusufi, u gjetën të vetëflijuara në shtëpi.
Ata u gjetën të dekompozuara në shtëpi pasi kishin ndërruar jetë prej muajsh duke qëndruar të paushqyera. Vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Jusufi u gjet në gjendje të rëndë, mirëpo mbijetoi.
Prokuroria e Tiranës ka dalë në përfundimn se vdekja e tyre ka ardhur për shkaqe natyrore dhe jo nga ndonje veprim kriminal apo të jenë shtyrë nga dikush tjetër.
Noddhur në këto kushte, organi i akuzës ka pushuar hetimet e nisura për shkaktim të vetëvrasjes, vendim ky i cili është miratuar ne gjykatë nga gjyqtari Kastriot Gramshi.
Konkluzioni i organit të akuzës erdhi pas një hetimi tepër të gjatë ne lidhje me këtë rast të pazakontë. Në pyetje u morën shumë persona të cilët kishin patur kontakte me të ndjerat si dhe u kqyren aparatet telefonike të tre pjestareve të familjes Josifi.
Ekspertët thonë se në telefonat e tyre nuk u gjetën të instaluara aplikacione te rrjeteve sociale dhe nuk u konstatua përdorimi i tyre teksa viktimat dhe Blerta Josifi nuk kanë patur komunikime me persona të tjerë por vetëm me njëra-tjetrën.
Në banesën e tyre nuk është konstatuar që të kenë hyrë persona të tjerë të jashtëm pasi ato i kishin ndërperë marrëdhëniet me të gjithë, deri në momentin kur u gjeten nga policia.
Referuar prokurorisë nga hetimi rezulton se gjatë kësaj periudhe ato nuk kanë frekuentuar ndonjë sekt fetar e po kështu nuk rezulton që t’i ketë vizituar ndonjë përfaqësues i komuniteteve fetare.
Në lidhje me ngjarjen prokuroria ka marrë në pyetje edhe të mbijetuarën Blerta Josifi. Para përfaqësuesve të akuzës, ajo ka treguar se së bashku me motrën e saj Anisa Josifi kishin filluar të shkonin ne Kishën Ungjillore që në moshë të vogël kur jetonin ne qytetin e Përmetit dhe më pas kanë vijuar ta ndjekin këtë kishë edhe kur kanë ardhur ne Tiranë.
E mbijetuara ka treguar se nuk kanë qenë të shtyrë nga ndonjë person i jashtëm për të bërë zgjedhjet e tyre rreth besimit fetar, madje mamaja Zhaneta në fillim kishte qenë kundër por më pas e kishte praktikuar edhe ajo vetë këtë lloj besimi. Ato kishin afërsisht 5 vite që nuk shkonin më në kishë por e kishin vazhduar vetë rrugëtimin me Zotin.
Ajo është shprehur se motra Anisa Josifi kishte më shumë se 15 muaj që kishte ndërruar jetë por për shkak të besimit të krishterë ajo thotë kufoma nuk mbante erë të keqe. Ajo vijon më tej duke treguar se në daten 03.06.2020 së bashku me nënën e saj kanë mbajtur agjërim duke mos ngrënë asnjë ushqim dhe që nga ai moment filloi t’i vinte era kufomës së motrës së saj Anisa.
Arsyeja se përse e kanë mbajtur motrën ka qenë prej vegimeve dhe besimit në Zot që ato kishin dhe se ajo do të ringjallej.
Ndërsa e ëma e saj, Zhaneta Josifi ka ndërruar jetë në datën 02.07.2020. Shtetësja Blerta Josifi njofton se motra e saj Anisa përpara se të ndërronte jetë kishte qëndruar rreth 52 ditë pa ngrënë e pa pirë dhe pas vdekjes ato nuk i thanë asnjë personi mirëpo vazhduan ta mbanin trupin në banesë.