Përfundon orari zyrtar i procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, që u zhvilluan ditën e sotme. Qytetarët shqiptarë u ftuan sot të votojnë si zgjedhësit e 140 deputetëve të legjislaturës së re parlamentare.
Urdhri i KQZ është mëse i qartë për të gjithë komisionerët. Në qendrat e votimit në të cilat do ketë qytetarë që presin në radhë, procesi do të jetë ende i hapur deri kur qytetari i fundit të shprehë vullnetin e tij me votë.
3 588 869 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote kishin sot të drejtë për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të ri dhe qeverinë që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. Në garë janë plot 13 parti dhe në disa qarqe disa kandidatë të pavarur.
Deri në orën 18:00 KQZ-ja raportoi se nga 1654 qendra votimi që kanë informacion nga 5199 në total, qytetarët që kanë votuar janë 45.48%, shifër kjo që pritet që të rritet pas përpunimit të të dhënave deri në orën 19:00, por edhe më pas deri kur të votojë qytetari i fundit.







