Shembja e godinës së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” për tu rikonstruktuar, ka ngjallur mjaft debate.
Kjo pasi ndërtesa në fjalë është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë që prej muajit mars të 2007.
Pikërisht e njëjta temë u diskutua dhe sot në programin “Shqipëria live”, ku pati diskutime të shumta mes të pranishmëve.
Pro ndërtimit të ndërtesës së re ishte avokati Idajet Beqiri, i cili tha se populli ka filluar që të jetë i ndjeshëm për monumentet kulturore, e do ishte e rëndë që të zhdukim pikat që identifikojnë Tiranën.
“Të mos ketë teprim, se ne çdo gjë e marrim me dyshim, nga frika se mund të na ikë nga memoria një gjë e tillë. Nuk vlerësojmë se si është realiteti, si është? Pjesa e maternitetit që është historike, nuk preket fare, do ti bëhet rikonstruksion brenda, jashtë aspak. Është shembur ajo pjesë që i është shtuar më vonë. Kjo u shemb nga tërmeti dhe nuk ka lidhje me memorien historike. Ajo që ka qenë italiane nuk është prekur, pjesa tjetër që është bërë në kohën e komunizmit është prishur. Ajo që u shemb do të bëhet njëlloj si ajo ekzistuese”, tha avokati i njohur.
Mirëpo nuk ndan të njëjtin mendim avokatja, Enida Bozheku, e cila ka lindur tek ky maternitet. Sipas saj vendimi i marrë për ndërtimin e ndërtesës së re ka shkelje të theksuara ligjore.
Madje ajo tha se kanë nisur gjithashtu edhe një kallëzim ndaj Institucionit të Trashëgimisë Kulturore, dhe do të shqyrtojnë edhe institucionet e tjera që janë pjesë e këtij vendimi.
Menjëherë ka ndërhyrë avokat Beqiri, i cili tha se nuk do të merret aspak në konsideratë ky kallëzim.
DEBATI MES TYRE:
Bozheku me tone të larta: Të lutëm, po flas unë, mbaj vendin. Janë një sërë shkeljesh ligjore. Po nuk e dite, shkoni e mësoni. Kallëzim do të bëhet në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Beqiri: Nuk do të merret fare në konsideratë. Nga ana ligjore aspak i rregullt. Është abuziv, mësoni çështjet penale.
Bozheku: Nuk më tregoni pjesën e penales, se jam profesore
Beqari: Unë isha pedagog i të drejtës penale, ti akoma nuk ishe formuar si njeri.