Një denoncim i fortë vjen sot nga një qytetar i cili ka treguar se nuk ka komunikim me të motrën që prej disa ditësh ndodhet e shtruar në spitalin Infektiv.
Ai bën të ditur se familjarja është e moshës 40 vjeçare dhe u infektua nga C OVID19 në Shqipëri, pasi kishte ardhur nga Greqia pas humbjes së nënës.
Vëllai shprehet se i shkruan mesazhe të motrës mirëpo nuk merr asnjë përgjigje.
“Sot s’kam kontaktuar fare. Tani i shkruaj mesazhe dhe nuk përgjigjet. Erdha për t’i dërguar disa gjëra. Shpresoj… Jo, jo absolutisht asnjë s’më ka telefonuar. E di se nga cili mjek ndiqet se më ka thënë motra, por nuk kam asnjë kontakt. Motra është në gjendje të keqe, është 40 vjeçe, është me transplant në veshka.
Shpresoj të bëhet diçka. Atë uroj, nuk ka gjë tjetër. E kishte kapur gripi para një muaji, e kaloi për 4-5 ditë dhe ishte mirë. Pastaj pas 10 ditësh i filloi temperaturë, tension, dhimbje në kraharor, zemra.
E sollëm në spital, i bëmë testin, doli negativ dhe e shtruan tek spitali i veshkave. Atje absolutisht asnjë lloj kurimi, zero, vetëm ilaçet që kishte vetë me vete, absolutisht asgjë fare, madje dhe sjelljen shumë të keqe, në spitalin gjashtë. Nga aty pastaj, i bënë një test të shpejtë dhe doli pozitiv dhe duhej të merrej vendimi o në Infektiv, o në shtëpi.
Ajo ishte në gjendje ku ta çoje, dhe vendosëm ta sjellim këtu. Tani gjendja është kjo, jemi në pritje. Jam nga Elbasani, por jetoj këtu në Tiranë. Në shtëpi ilaçet i kemi marrë vetë. Motra jetonte në Greqi, erdhi këtu në Shqipëri se humbëm mamanë dhe u infektua, sado që mbrohej me dy maska dhe dy ditë para se të ikte ajo u infektua. I merrte udhëzimet nga mjeku nga Greqia që ndiqej, për transplantin që ka bërë. Veshkën e mbrojti por u dëmtua nga mushkëritë”, tregoi ai për “News 24”.