Policia vijon të gjobisë personat që shkelin rregullat anti- C OVID19.
Mes tyre nuk bëjnë përjashtim as politikanët.
Mësohet se së fundmi ministri i Turizmit Blendi Klosi është gjobitur me 50 milionë lekë të vjetra për shkeljen e masave.
Ai e ka marrë ndëshkim pas organizimit të një takimi elektoral në një kohë kur grumbullimet janë të ndaluara.
Mbledhja është zhvilluar në Kuçovë, në një lokal në atë zonë. Për këtë arsye është ndëshkuar edhe pronari i lokalit me 1 milionë lekë të reja.
Kujtojmë se më herët, për të njëjtat arsye është gjobitur dhe Endrit Brahimllari i LSI, si dhe organizatori i një eventi në Durrës, ku presidenti Ilir Meta shpërndau dekorata.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Vijojnë kontrollet nga Policia, për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Organizoi një takim në kundërshtim me masat anticovid, ndëshkohet me masë amdinistrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik. Lejoi organizimin e këtij takimi në lokalin në pronësi të tij, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i subjektit.
Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.