Drejtuesi politik i PD në qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu ka deklaruar sot se shumica e fshatrave të atij qarku janë izoluar për shkak të reshjeve të dëborës që kanë qenë të dendura.
Ai u shpreh për Report TV, se 40 % e qytetarëve të gjithë qarkut Dibër janë bllokuar nga dëbora dhe se ata janë duke i hapur vetë rrugët me mjete të ndryshme, pasi e kanë të pamundur të lidhen me qendrat urbane.
Sipas Mziut, borëpastrueset kanë hapur vetëm akset nacionale dhe disa rrugë që lidhin disa nga njësitë administrative me qendrën urbane.
Një tjetër shqetësim që ngre Xhelal Mziu është edhe fakti se banorët e këtyre vendeve të bllokuara nuk kanë ku të furnizohen me ushqime.
“Hapja e fshatrave rreth Dibrës bëhet nga vetë banorët dhe shteti është inekzistent. Moti i keq ka vështirësuar jetën e qytetarëve dhe mungesa e ushqimeve për tu furnizuar ka vështiruar situatën pasi rrugët janë të bllokuara. Vetëm në akse nacionale ose në lidhjen e disa nga njësi administrative që ka ndërhyrë borëpastruese, por ka dhe shumë të tjera që janë të bllokuara dhe borëpastruesja nuk ka shkuar. Lura, Selishta, Martaneshi e shumë të tjera nuk kanë energji elektrike dhe qytetarët vijojnë të hapin rrugën privatisht, dhe kjo tregon se shteti nuk është i përgatitur për këtë lloj situate dhe kjo është për të ardhur keq. Kanë njerëz që duhen të mbështeten edhe me ndihma humanitare me ushqime. Infrastruktura rrugore e kanë të pamundur për të lidhur fshatrat e largëta me pjesën urbane si për njerëzit dhe gjënë e gjallë. Vetëm në Dibër janë më shumë se gjysma e fshatrave që kanë nevojë për hapjen e rrugëve ose 40 % e banorëve të qarkut Dibër që vuajnë bllokimin e rrugës dhe mungesës së energjisë elektrike,”- tha Mziu.