I akuzuari për trafik droge Moisi Habilaj është arratisur nga banesa ku qëndronte me urdhër të drejtësisë italiane e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Sipas Report Tv, Habilaj që është njëkohësisht dhe kushëri me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, është shpallur në kërkim nga policia italiane.
Ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij në adresën që kishte dhënë në Raguza.
Më 17 dhjetor të vitit që lamë pas, Apeli i Katanias la në fuqi vendimin e shkallës së parë për Habilajn, duke e dënuar atë me 15 vite e 5 muaj burg.
Duke qenë se avokatët e tij e kishin apeluar dhe këtë vendim, shqiptari po qëndronte me masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Së bashku me të u dënuan edhe Meridian Sula (8 vite), Nezar Seiti (6.8 vite), Antonino Riela, Vinccenso Spanpinato, Angjelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko. Në Shkallën e Parë Sulaj u dënua 7.4 vite dhe Seiti 6.4 vite burg.
Moisi Habilaj është konsideruar si kreu i bandës së narkotrafikantëve italo-shqiptare.
Edhe vëllai i tij Florian Habilaj vijon të jetë në kërkim.