Në periudhën e pandemisë që po jetojmë pothuajse prej një viti, qendrat shëndetësore dhe spitalet janë ato që po përhapin më shumë virusin.
Deri më tani mes viktimave kemi dhe një numër të lartë mjekësh, të cilët nuk e fituan dot betejën me këtë sëmundje.
Ky fakt vazhdon ende të mbetet shqetësues, pasi përditë po rritet numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar.
Këtë alarm e ka ngritur shpesh herë mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, i cili për të disatën herë ka kërkuar që të rriten testimet dhe siguria për këtë kategori, sidomos për ata që shërbejnë në QSUT. Sipas tij, bilanci i mjekëve të infektuar, por që nuk janë pikasur është i lartë dhe kjo përbën rrezik për përhapjen e virusit tek pacientët dhe kolegët. “Miqtë e mi, duhen mbrojtur me patjetër spitalet dhe qendrat shëndetësore! Gjashtë muaj më parë, më 11 qershor 2020, kur shifrat e pandemisë ishin tejet të ulëta në Shqipëri, diskutuam publikisht që duhej izoluar në mënyrë të menjëhershme QSUT-ja, spitalet dhe qendrat shëndetësore. 5 nga 42 raste janë më shumë se 10%.
Këta 5 mjekë janë potencial infektues dhe për pacientë apo mjekë të tjerë”, shkruan ai në një postim në Facebook. Sipas tij disa qytete që u kthyen në vatra të nxehta kishin si shkak kryesor të përhapjes së koronavirusit, QSUT. Pra pacientët që shkonin aty për vizita të ndryshme, infektoheshin dhe pa e ditur e shpërndanin atë në vendbanimin e tyre. Prandaj, ai kërkon izolimin e spitaleve.
“Që në fillim fare kemi thënë se të parat që duhen ruajtur si sytë e ballit janë spitalet dhe qendrat shëndetësore, sepse ato janë vatra nga ku mund të ndodhë përhapja më e fortë. Dhe mos të harrojmë që spitali në veçanti QSUT i ka krahët shumë të gjëra, pra rrezja e problematikave që mund të shkaktojë një spital ku shkon e gjithë Shqipëria janë të mëdha. Kemi siguri që vatra e Matit ka qenë e lidhur direkt me QSUT, kemi siguri që vatra e Beratit është e lidhur edhe ajo direkt me QSUT-në.
Dhe po të mbani mend edhe Shkodra është e lidhur me qendrën shëndetësore atje. Pra janë të lidhura me sistemin shëndetësor. Ndaj duhet t’i izolojmë spitalet”, shprehet Alimehmeti. Sipas mjekut sa më shpejt duhet të nisë testimi i shpejtë dhe rritja e numrit të testeve në stafet mjekësore si dhe vaksinimi të fillojë më parë nga ata. “Fryma e shenjtë nuk i mbron spitalet dhe as personelin shëndetësor! Kemi nevojë sa më shpejt për: Testime çdo javë me teste të shpejta të të gjithë personelit shëndetësor! Testim të çdo pacienti që vjen në spital për trajtime jo urgjente dhe shtrim nëse rezulton negativ! Testim të çdo pacienti që vjen në spital me urgjencë, shtrim i tij, por të konsiderohet si pozitiv deri në daljen e përgjigjes së testit”, vë në dukje ai.