Ish-ministri i Ekonomisë në kohën që qeveriste Partia Demokratike Genc Ruli, ka treguar për herë të parë mbrëmjen e sotme se si u përjashtua kryeministri aktual Edi Rama nga mbledhja e parë në dhjetor të 1990 për themelimin e forcës së djathtë politike më të madhe në vend.
I ftuar në programin “Real Story” Ruli ndër të tjera hodhi poshtë akuzat që ka qenë Sali Berisha i cili e ka nxjerrë Ramën nga mbledhja.
Sipas tij kreun e qeverisë e ka përzënë Gramoz Pashko, pasi filloi të shfaqte mendime radikale dhe të bënte sherre me të pranishmit në mbledhje.
“Shqipëria qe modeli më parësor, Bullgaria ngjan më shumë me modelin tonë. Në Shqipëri nuk pati dhunë, pati shumë segmente nga pushteti që tentuan dhunën, por nuk e konkretizuan dot. Në Tiranë s’guxohej dhuna, por ama nëpër qarqe ka pasur dhunë psikologjike, por edhe fizike. Sidoqoftë, ishte dëshpërimi i liderëve komunistë, që e kuptuan se do të paguanin çdo masakër.
Në lidhje me Edi Ramën, ai nuk ka të vërtetë kur e personifikojnë kur thonë se ishte Sali Berisha që nuk e la të futej në PD. Unë Edin e njohja, ishte një djalë liberal, me guxim, guxonte të fliste. Kishte filluar të prononcohej edhe gjatë 1990. Në ngjarjet e dhjetorit ai nuk ishte në Shqipëri dhe unë ngjarjen e lidh me datën 13, sepse atëherë nis konflikti. Ne po bënim një hap para për themelimin e partisë. Bëjmë mbledhje, në një dhomë të vogël, ku po rrinim në këmbë, dhe Gramozi fillon se duhet bërë statuti, etj, etj. Në bisedë e sipër hyn Edi, u mirëprit nga të gjithë. Na tha se sapo ka mbërritur në Tiranë. Ishte ndër të paktët që u ul në tavolinë, ne po rrinim në këmbë.
Filloi të ndërhynte, gjithmonë i jepte shenjë radikalizimi bisedës, ne ishim shumë të kujdesshëm, pasi e dinim që kishim dhe elementë provokatorë në atë turmë. Ishte një radikalizim që mund të nxitej edhe nga sigurimi, edhe nga pushteti. JO se Rama ishte me porosi, ai ishte nga vetja, nuk ja vë kurrë dyshimin se ishte me porosi, por ndoshta edhe mungesa që nuk ishte në orën e duhur aty, ishte një mënyrë për të marrë rolin e protagonistit. Megjithatë hyri në konflikt me shumë që ishin aty, sa në fund e përzuri Gramozi. “Edi ik se na mërzite, me këto mend nuk je me ne”. Nuk është e vërtetë që e ka bllokuar Sali Berisha. Në atë kohë, me ngjarjet e atyre ditëve, rrezatonin më shumë Azemi, Gramozi, etj”, tha Genc Ruli.