Ditën e sotme kryeministri Edi Rama pritet të bëjë publik emrin e ministrit të ri të Brendshëm pas largimit të Sandër Lleshajt nga detyra.
Sipas burimeve pranë kryeministrit , thuhet se ka mundësi që në krye të ministrisë së Brendshme të vihet një nga ministrat e kabinetit, por ende nuk ka një emër konkret.
Mësohet se një nga emrat më afër postit të ministrit të Brendshëm, është ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, por kjo do të merret vesh sot, kur vetë Kryeministri do të bëjë publik emrin që do të zëvendësojë Sandër Lleshajn pas dorëheqjes.
Burime thanë gjithashtu se ministri i ri i Brendshëm do të jetë ose një figurë e lartë politike, ose një figurë e nivelit të dytë në ekzekutiv, që më shumë do t’i ngjante një ministreje teknike, më pak e atakueshme politikisht. Nëse do të vendoset për një emër të tillë, mësohet se Kryeministri Rama mund të propozojë emrin e Elira Kokonës, e cila aktualisht mban postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë.
Nuk kanë munguar këto ditë edhe emra të tjerë si kandidatë të mundshëm, si sekretari organizativ në PS, deputeti Arben Pëllumbi, apo ai i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, por edhe ai i Pandeli Majkos.