Personi që shikoni në foto është efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt të Shkodrës, Xhulio Prela, i cili mbeti i vrarë në një atentat në orën 02.20 të mëngjesit të sotëm, në rrugën Lezhë-Milot, në afërsi të vendit të quajtur Gajush.
Në njoftimin paraprak për ngjarjen, Policia thotë se në orën 02.20 të mëngjesit të sotëm në sallën operative janë lajmëruar për një makinë që kishte dalë nga rruga në rrugën Lezhë-Milot. Kur kanë shkuar në vendngjarje ata kanë konstatuar trupin e pajetë të kolegut të tyre Xhulio Prela.
Menjëherë drejt vendgjarjes kanë shkuar forca të shumta Policie, FNSH-ja dhe forcat speciale RENEA. 26 vjeçari raportohet se po kthehej nga Aeroporti i Rinasit për në shtëpinë e tij, në Rrile të Lezhës, kur disa persona që udhëtonin me një mjet tjetër i kanë zënë pritë.
Ata e kanë qëlluar me breshëri plumbash Xhulio Prelën dhe pas 800 metrash ai ka humbur kontrollin e makinës me të cilën lëvizte i vetëm dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Bëhet me dije se Policia ka identifikuar autorët dhe mjetin me të cilin ata i zunë pritë 26 vjeçarit efektiv i FNSH.
Një vit më parë Xhulio Prela ishte futur në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt të Shkodrës, ndërsa vazhdonte studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vitin e 3-të.