Kryeministri Edi Rama ka thënë në konferencën e sotme përballë gazetarëve se dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në këto momente nuk është e drejtë dhe as e nevojshme.
Kreu i qeverisë shtoi se nëse nuk do të ishte kryeministër, dhe ai vetë do të dilte në protestë.
Por sipas tij këtë nuk do ta bënte për të sulmuar punonjësit e policisë, por për të shprehur indinjatën qytetare dhe për të kërkuar vendosjen e drejtësisë në vend.
Rama deklaroi se pas protestave të dhunshme qendron Ilir Meta dhe Sali Berisha, ndërsa shtoi se i vjen keq për Lulzim Bashën që nuk di asnjëherë të jetë një lider, dhe të thojë gjënë e duhur më kohën e duhur.
“Pse të ikë drejtori i Policisë, nuk vendoset në rrugë se kush ikën dhe kush rri. Vendoset në bazë të asaj se çfarë është e drejtë. Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë, jo se kishte gisht në atë që ndodhi por se e vrau arma e shtetit. Ishte e drejtë që ministri i brendshëm të këmbngulte se donte të largohej ko se kishte përgjegjësi, por sepse ishte e drejtë që mesazhi i pjesëmarrjes në dhimbjen e asaj familje, të mos ishte vetëm me fjalë, por që moralisht ministri i brendshëm të thoshte atë që tha.
Por që të jemi të qartë këto nuk ishin fryt i protestës, nëse nuk do të isha kryeministër dhe unë do të kisha dalë në protestë, jo për tiu hedhur në fyt policëve, por për të dëshmuar indinjat, qytetarisht, dhe për të dëshmuar vendosmërinë qytetare për drejtësi. SHÇBA ka marrë përsipër menjëherë që të hetonte ngjarjen në bashkëpunim me prokurorinë, ku kanë bërë një punë të shkëlqyer, ku autori jo vetëm u ndalua menjëherë, por doli dhe para gjyqit.
Atëherë çfarë duan këta? Mua më vjen keq për Lulzim Bashën, është një tjetër rast ku Lulzim Basha është një lider pa pikë karakteri, pasi jam i bindur që nuk ka asnjë lidhje me këto që ndodhin, Pasi nëse do të ishte lider i opozitës duhet të dilte dhe të thoshte që ishin të papranueshme, dhe se në pushtet mund të vihet vetëm me zgjedhje. Po si gjithmonë ai është i papranishëm në vendin e duhur, në kohën e duhur, për të thënë gjënë e duhur. Pas atij revolucioni imagjinar qendron Ilir Meta dhe Sali Berisha, këtë e di i madh dhe i vogël, e di çdo shqiptar.”, u shpreh kryeministri.