“Populli na ka dhënë një fitore të qartë” Kjo ishte shprehja që kandidati demokrat Joe Biden i tha kombit të tij teksa rezultatet ishin në favor përballë rivalit republikan Donald Trump.
Presidenti i zgjedhur 77-vjeçar u ngjit në skenën në Wilmington, Delaware pasi u prezantua nga Kamala Harris, nënkryetarja e tij e zgjedhur, për t’u brohoritur nga një turmë që ishte futur për ta dëgjuar atë.
Ndërkohë ditën e djeshme Joe Biden mbajti fjalimin e fitores para mbështetësve të tij, ku bëri thirrje të fortë për bashkim.
Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që të kthejnë faqen nga koha që e cilësoi si një “epokë të zymtë të demonizimit”.
Biden iu drejtua një kombi me frymën e kompromisit, duke kërkuar që mbështetësit e presidentit Donald Trump t’i jepnin një shans.
“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse”, tha zoti Biden përpara mbështetësve të mbledhur në një parking të cilët brohorisnin.
Pasi vrapoi në skenë i veshur me një maskë, Biden përsëriti premtimin e tij se ai do të kërkonte të bashkonte dhe jo të ndante.
“Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”, shtoi ai.
Ndonëse nuk e përmendi rivalin e tij, Biden iu drejtua 70 milion amerikanëve të cilët votuan në mbështetje të Presidentit Trump, disa prej të cilëve dolën në rrugë të shtunën për të demonstruar kundër rezultateve. Teksa tha se e kupton zhgënjimin e tyre, u ka kërkuar një shans.
“Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë. Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan”, tha ai.
Presidenti Biden njoftoi gjithashtu se të hënën do të shpallë një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh për ta ndihmuar atë të hartojë një plan për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Më tej teksa prezantoi planin e tij, vuri theksin te investimet që do të përfshijnë investime në pajisje mbrojtëse personale dhe kredi për bizneset e vogla, si dhe plane për të zbatuar udhëzime më të standardizuara të shëndetit publik.
Ai u prezantua nga senatorja Kamala Harris, e cila do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane dhe e para amerikane me origjinë aziatike që shërben si zëvendëspresidente.