Ditën e sotme Gjysmëhëna e Kuqe Siriane ka nisur riatdhesimin e katër fëmijëve shqiptarë dhe një gruaje që ndodhen në kampin Al-Hol.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama është vënë në lëvizje, duke u nisur urgjent drejt Libanit, për të marrë pjesë në sjelljen e disa fëmijëve dhe një gruaje të lënduar me aftësi të kufizuara.
Prej dy vitesh, ata kanë mbetur në këtë kamp i cili konsiderohet si laborator i ISIS-it.
Në një prononcim për mediat, Rama deklaroi se është e rëndësishme që autoritetet qeveritare të jenë të pranishme në këtë operacion.
Më tej kreu i qeverisë shtoi se kjo është vetëm faza e parë dhe duke shpresuar që të përmbyllet me sukses, Rama thotë se faza e dytë do të sjellë në atdhe dhe shumë fëmijë të tjerë që ndodhen në atë kamp.
Rama: Është e rëndësishme që pesha e autoritetit të qeverisë të jetë e pranishme. Ky është një operacion shumë kompleks i përgatitur prej shumë klohësh me forcat tona në terren. Operacioni është ndarë në dy faza pas negociatave të pafundme dhe sekrete. Faza e parë është në zbatim tani që flasim. Shpresoj që me ndihmën e zotit të kthejmë katër fëmijët dhe një nënë të plagosur në kushte të rënduara. Është e rëndësishme që kjo fazë e parë të mbyllet me sukses dhe për fëmijët e tjerë do lançohet faza e dytë.
Pyetje: Cila ishte vështirësia më e madhe?
Rama: Gjërat janë të ngatërruara në atë territor. Ju e dini se si është ai kamp i tmerrshëm. Ne na duhet të kalojmë nëpër kanale nga më të ndryshmet pasi s’kemi një kanal të drejtpërdrejtë me qeverinë e Damaskut. Është një operacion që do duhet një roman me shumë vëllime për ta shpjeguar.