Ditën e sotme presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp.
I gjendur përballë gazetarëve, ai i ka bërë thirrje të fortë qeverisë dhe grave greviste në Ballsh që të ulen sa më parë dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët që situata të mos përshkallëzohet dhe më tej.
“Dua ta nis me një apel për qeverinë dhe grevistët, zonjat e ngujuara në një grevë urie dhe naftëtarët, për të dialoguar sa më parë për një zgjidhje sa më të pranueshme dhe sa më të arsyeshme pa u përshkallëzuar kjo situatë me pasoja për shëndetin e grevisteve dhe grevistëve. Është shumë e rëndësishme të bëhet çdo përpjekje në mirëbesim dhe të jepen garancitë e duhura për një trajtim të përgjegjshëm shtetëror dhe njerëzor të kësaj çështje dhe kësaj situate të rëndë sociale dhe humanitare përpara se mund të kemi probleme dhe pasoja me shëndetin e tyre.” , u shpreh Kreu i Shtetit.
Gratë naftëtare të Ballshit, të cilat janë në ditën e 12 të grevës së urisë, shprehen të vendosura se do të vazhdojnë deri në fund.
Një prej tyre i bëri sot thirrje Kryeministrit që të reagojë.
“Presim që kryeministri të reagojë. Pastaj futem për negociatat për uzinën. Duam më shumë sensibilizim, dhe mbështetje. Populli është uragan. Lekët e prapambetura i kanë edhe ata që kanë dalë në pension, edhe ata duhet të vinë të na mbështesin. Shoqet edhe pse janë në gjendje kritike janë të vendosura. Ta dijë mirë kryeministri, nuk dalin”, tha një prej grave naftëtare.
“Nga kjo kauzë dua të dal me fitore. Kemi kërkuar që kryeministri të negociojë dhe ti japë një zgjidhje”, tha një tjetër greviste.
Ato thonë se nuk kanë besim te propozimi iKkryeministrit, i cili u ka thene qe të dalin nga greva dhe me pas të negociojnë.