Sot parlamenti votoi në seancën plenare shkarkimin e Besa Shahinit si ministre të Arsimit dhe emërimin në vend të saj të Evis Kushit.
Kjo e fundit u votua si ministre Arsimi me 104 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.
Ndërsa nga ana tjetër Shahini u shkarkua me 106 pro, 3 kundër dhe 2 abstenim.
Kushi ka lindur në Elbasan më 7 tetor 1975, ndërsa studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim Biznesi.
Gjithashtu në vitet 2003-2008 ka studiuar në Staffordshire University, Angli, PhD në Ekonomi Turizmi. Në vitin 2010 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndërsa në vitin 2016 ka marrë titullin “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Evis Kushi ka një përvojë të gjatë punë në universitet, pasi nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në vitin akademik 2008-2009 ka qenë lektore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Ekonomik, Maqedoni, ndërsa në vitet 2012-2013 ka qenë dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Mandatin e aprë si deputete Kushi e ka marrë në qarkun e Elbasanit në vitin 2013, ndërsa aktualisht është edhe anëtare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Ajo është autore dhe bashkautore e botimeve të ndryshme shkencore në fushën e marketingut dhe turizmit.