Përmes një letre të gjatë të publikuar sot nga mediat, deputetja Rudina Hajdari i ka dërguar disa propozime Këshillit Politik, ku i kërkon që ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 të mblidhet për të punuar ‘non stop’ deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për tua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend.
Letra e plotë:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Politik,
Si fillim dua të shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar në Këshillin Politik, lidhur me mungesën e progresit për cështjet që kanë të bëjnë me amendimet e Kodit Zgjedhor dhe përshtatjen e tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 prill të vitit 2021.
Unë besoj se ka ardhur koha që të gjithë ne të lëmë mënjanë interesat e ngushta personale dhe partiake dhe të shohim interesat madhore të vendit duke punuar natë e ditë për ti dhënë Shqipërisë një Kod Zgjedhor dhe një palë zgjedhje model.
Në këtë kontekst, duke përshëndetur qëndrimin konsensual që u arrit nëpërmjet deklaratave publike të të gjitha palëve politike, lidhur me hapjen e listave 100%, do të doja që të vijonim punën e Këshillit Politik për ta përmbyllur këtë process, i cili sot gëzon mbështetjen e mbi 80% të shqiptarëve si edhe dakordësinë paraprake të palëve.
Unë dhe grupimi që përfaqësoj kemi përgatitur amendamentet përkatëse të Kodit Zgjedhor të cilat garantojnë hapjen 100% të listave, jo vetëm si mekanizëm I shprehjes së opinionit popullor mbi cilësinë e kandidatëve por mbi të gjitha si një mekanizëm përzgjedhës I deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.
Amendimet dhe relacionin shoqërues I gjeni bashkangjitur këtij emaili.
Duke qenë se edhe PS, edhe PD edhe LSI janë shprehur tashmë publikisht se qëndrojnë për hapjen 100% të listave, unë ju ftoj të takohemi ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 për të punuar non stop deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për tua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend.
Do të ishtë zhgënjyese për të gjithë shqiptarët por edhe anti-kushtetuese nëse palët do të tërhiqeshin nga qëndrimet tashmë të qarta mbi mundësimin e përzgjedhjes së përmbajtjes së Kuvendit të ardhshëm nga shqiptarët e jo thjesht nga Kryetarët e partive.
Duke shpresuar në një reagim pozitiv e konstruktiv,
Me respekt, Rudina Hajdari
PROJEKTLIGJ
Nr. ____/2020
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10 019, DATË 29.12.2008, “KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SE SHQIPËRISE VENDOSI
Në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni____
Në pikën 5 të nenit 67 fjalia e parë ndryshon si më poshtë:
“Emrat në listën e Partisë paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik duke filluar nga kandidati që i fillon emri me gërmën “A”.
Neni_______
Në nenin 95 bëhen ndryshimet si më poshtë:
“1. Për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së, 10 ditë para ditës së votimit, caktohen Grupe Numërimi të votave. Në fillim numërohen votat e partive dhe/ose koalicioneve e më pas votat parapëlqyese për secilin kandidat. Mbasi mbaron numërimi i votave, Subjekti Zgjedhori cili rezuton sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ se përfiton mandat në ZAZ-në përkatëse, rezervon të drejtën për të shtuar 1 anëtar nëGrupin e Numërimit të votave parapëlqyese për kandidatët. Numri i grupeve të numërimit është dy për cdo tavolinë numërimi, sipas pikës 2 të nenit 94 të këtij Kodi. Anëtarët e grupeve të numërimit të votave duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e neneve 30 dhe 31 të këtij Kodi. Propozimet për emërimin e anëtarëve duhet të dorëzohen në KZAZ të paktën 12 ditë para datës së zgjedhjeve.
“2. Grupet e numërimit të votavë për Subjektet Zgjedhore përbëhen nga katër anëtarë, ku në cdo rast një anëtar emërohet pas propozimit të partisë politike, së cilës i përket Kryetari i KZAZ-së, një anëtar pas propozimit të partisë që i përket nënkryetari, ndërsa anëtari i tretë propozohet nga partitë e shumicës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të GNV-vepër ZAZ-të respektive, sipas procedurës së parashikuar në nenin 96 të këtij kodi.
Grupet e numërimit të votave parapëlqyese për kandidatët përbëhen me nga një anëtar të propozuar nga subjekti zgjedhor i cili rezulton përfitues mandati në ZAZ-nëpërkatëse.
Në vendimin për emërimin e Grupit të Numërimit të votave, KZAZ-ja cakton një nga anëtarët si numërues të parë dhe një anëtar si sekretar. Në gjysmën e Grupeve të Numërimit të Votavenumëruesi i parë propozohet nga partia më e madhe e shumicës dhe në gjysmën tjetër nga partia më e madhe e opozitës. Sekretari i Grupit të Numërimit të Votave i përket partisë politike të kundërt me Partinë që propozon numëruesin e parë. KQZ-ja me udhëzim përcakton mënyrën e hedhjes së shortit.
Neni ___
Pika 4 e nenit 98 ndryshohet si më poshtë:
“Fleta e votimit duhet të përmbajë hapësirën e posaçme për ushtrimin e votimit parapëlqyes për kandidatët e subjektit zgjedhor. Mënyra e votimit parapëlqyes përcaktohet nga KQZ-ja në varësi nga numri i subjekteve pjesmarrëse në zgjedhje, duke respektuar kushtin që informacioni i përcjellë nga fleta e votimit të mos jetë tejet i ngarkuar, konfigurimi i fletës të jetë i qartë e i kuptueshëm për zgjedhësin dhe zgjedhësi t’a ketë të lehtë orientimin për votimin e subjektit zgjedhor dhe të kandidatit të parapëlqyer.”
Neni ___
Pika 1 e nenit 106 ndryshohet si më poshtë:
“Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në vendin e përcaktuar nga fleta e votimit për subjektin zgjedhor dhe/ose kandidatin e parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.”
Neni ___
Në nenin 117 bëhen ndryshimet si më poshtë:
Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore dhe/ose vetëm për njerin nga kandidatët e tij. Kur është votuar për më shumë se një kandidat të të njejtit subjekt zgjedhor, vota i llogaritet vetëm subjektit zgjedhor.”
shkronja “e” ndryshohet si më poshtë:
“e) është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër zgjedhor;”
Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “e/1” me këtë përmbajtje:
“e/1) nuk është e qartë se për kë është votuar; ose”
Neni ___
Në nenin 118 bëhen ndryshimet si më poshtë:
Fjalia e dytë e pikës 3 shfuqizohet.
Pas pikës 6 shtohet pika 6/1 më këtë përmbajtje:
“6/1 Pas përfundimit të procedurave sipas pikës 6 të këtij neni bëhet numërimi, sipas parashikimeve në pikat 1 dh 2 të nenit 95, i votave parapërlqyese për çdo kandidat të subjektit zgjedhor.”
Neni ___
Neni 163 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 163 Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës
Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fituese për secilin subjekt.
Shpërndarja e mandateve fillon me rirenditjen e kandidatëve në bazë të numrit të votës parapelqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese.
Kandidatët renditen sipas numrit të votave parapëlqyese. Cilësohen kandidatë fitues ata kandidatë të cilët kanë marrë më shumë vota parapëlqyese se kandidatët e tjerë, duke respektuar numrin e mandatateve që ka marrë partia politike dhe përfaqësimin gjinor sipas përcaktimeve në pikën 4 të këtij neni. Në rastet kur numri I votave parapëlqyese është I barabartë, mandati zgjidhet me short.
Në rastet kur, mbas shpërndarjes së mandateve, nuk është plotësuar detyrimi kushtetues I përfaqësimit gjinor me 30%, kandidati I renditur I fundit I gjinisë më shumë të përfaqësuar zëvendësohet me kandidatin më të votuar, të renditur nën listën e fituesve të gjinisë më pak të përfaqësuar. Ky mekanizëm përsëritet deri në plotësimin e kuotës gjinore me 30%.
Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”
Neni ___
Pika 5 e nenit 164 shfuqizohet.
Neni ___
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pa botimit në Fletoren Zyrtare.