Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në Durrës, ku Arbër Kote, shoferi i një autobuzi fasonerie goditi me thikë në zemër furnizuesin e një marketi Idajet Dulla 33-vjeç, pas sherrit për zënien e rrugës.
Ndërkohë Policia e Durrësit e ka vënë në pranga 26-vjeçarin Arbër Kote.
Ky i fundit është djali i ish-drejtorit të burgut të Durrësit Astrit Kote, i cili u arrestua në 2016 me akuzën se favorizoi lirimin e Lulzim Berishës.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së djeshme ku ndërroi jetë një 33-vjeçar.
Policia e Durrësit, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur, organizoi punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bëri të mundur zbardhjen, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A.K., 26 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin I.D., 33 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.