Një sërë vrasjesh makabre në vendin tonë lidhen me kohën kur temperaturat janë më të larta.
E njëjta gjë ka ndodhur ditën e djeshme në Pogradec, ku 44-vjeçari Olsi Çekiçi vrau nënën e tij 70-vjecare për motive të dobëta.
Ajo që e bëri më makabre këtë skenë, ishte sepse ai i preu kokën të moshuarës dhe ja vari në derë, duke treguar kështu probleme të theksuara mendore.
Ndërkohë në lidhje me këto fenomene që kanë shokuar opinionin publik ndër kohëra, kanë folur dhe specialistët e shëndetit mendor.
Mjekja e njohur psikiatre Arjana Rreli, e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 foli për rastin dhe koincidencën e krimeve të njëpasnjëshme të personave me probleme mendore, të cilët kryejnë këto krime makabre në verë, pra në gusht.
Masakra e Selenicës, vrasja e një të mituri në Himarë, të cilit iu pre koka nga i afërmi i tij disa vite më parë, dhe ngjarja e ndodhur një ditë më parë, nuk janë rastësore, tha Rreli.
Sipas saj temperaturat e larta te sistemi nervor i personave me sëmundje mendore perceptohen si sulme ndaj organizmit, çka i bën të pakontrollueshëm.
“Në fakt temperaturat e larta janë një stresor i fuqishëm i ambientit dhe një agresor për organizmin tonë. Temperaturat e larta perceptohen nga sistemi nervor i këtyre personave si sulm ndaj organizmit dhe padashje prish balancat, duke i çuar deri te këto krime. Përdorimi i lëndëve narkotike është një tjetër faktor risku që thellon problemet e personave të tillë”, tha Rreli.
“Ka raste kur personi nuk e pranon që mund të jetë i sëmurë, këta janë ata që rrezikojnë për komplikacione të rënda si rasti në Buçimas. U tha që ishte përdorues i lëndëve narkotike, kjo sjell çrregullime të sjelljes. Dëmton jo veç personin por edhe ata që e rrethojnë. Ka persona që tentojnë të vetëzgjidhin problemet e tyre me alkool, lëndë narkotike por edhe me qetësues.
Rastet që shpërthejnë kështu janë raste të patrajtuara, këta persona nuk pranojnë bashkëpunim, nuk hapin asnjë shteg që të bëhen aleatë për kurim. Mund të jenë në këtë fazë edhe persona që kanë filluar një trajtim dhe që e kanë ndërprerë më pas, ose ka ndërprerë lidhjen me specialistin. Suporti familjar është shumë i rëndësishëm. Medikamentet për këta pacientë janë të kushtueshme po ashtu trajtimi, terapia zgjat në kohë. Pra, duhet mbajtur situata nën kontroll”, shpjegoi ajo.