Ka dalë sot në sallën e gjyqit 44-vjeçari nga Pogradeci Olsi Çekiçi, i cili ekzekutoi në mënyrë makabre nënën e tij Firdes Çekiçi, duke i prerë kokën.
Ai akuzohet për “vrasje me dashje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “dhunë në familje”.
Por pavarësisht krimit të kryer, autori për të cilin është thënë se vuan nga probleme mendore, është shfaqur i qetë gjatë seancës.
Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas dëshmisë së vajzës 15- vjeçare të autorit, ajo ndodhej te fqinja, ndërsa kur doli pa se çfarë kishte ndodhur.
“I shtrova tavolinën babait për të ngrënë dhe shkova te komshiu ngjitur për të kërkuar diçka. I lashë edhe babin tim, edhe gjyshen në shtëpi. Dëgjova të bërtitura dhe dola kur pashë se çfarë kishte ndodhur. Mora biçikletën dhe shkova në Komisariatin e Pogradecit që të thërrisja Policinë”, është shprehur e mitura.
Sherri për të lehurat e qenit është bërë shkak sipas fqinjëve për ngjarjen horror.
Vëllai i autorit ka hedhur në drejtim të qenit një send për shkak se ai po lehte, ndërsa ky dyshohet se është bërë shkaku i asaj që u kthye më tej në një krim makabër.
Gjithçka ka ndodhur në kuzhinën e shtëpisë së familjes Çekiçi, ku autori, pasi goditi me mjete të forta nënën e tij, arriti deri aty sa t’i priste asaj kokën dhe më pas t’ia varte te porta e shtëpisë.