Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka dhënë një njoftim shumë të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që kanë për të regjistruar pronat e tyre në jug të Shqipërisë.
Drejtoria e Përgjithshme bën me dije se janë hapur tre zyra regjistrimi në Dhërmi, në Himarë dhe në Lukovë.
ASHK bën publike edhe datat e regjistrimit. Qytetarët duhet të paraqiten në datat e mëposhtme me dokumentacionin përkatës për pronat e tyre.
Ndër të tjera i bën thirrje emigrantëve që të kthehen në gusht e të bëjnë procedurat e regjistrimit të pronave të tyre.
Njoftimi i plotë:
DREJTORIA E PËRGJITHSHME
Dt. 17.07.2020
Të nderuar qytetarë,
Dëshirojmë t’ju informojmë se procesi i rregjistrimit fillestar në Zonat Kadastrale të Jugut vijon me sukses. Në të tre zyrat e hapura nga Kadastra Shqiptare në Dhërmi, Himarë dhe Lukovë, çdo ditë paraqiten qytetarë që dëshirojnë të informohen rreth dokumentacionit të nevojshëm, si edhe për t’u konsultuar për problematika të mbartura të pronave të tyre.
Nga ana tjetër, ekipet e Kadastrës çdo ditë vijojnë matjet në terren për çdo pasuri të veçantë toka, kullota, banesa, etj. Deri tani rezultojnë rreth 3400 pasuri të verifikuara dhe për të cilat është plotësuar dokumentacioni.
Meqenëse tashmë kemi krijuar një bazë të madhe të dhënash, të siguruar nga puna në terren, jemi në gjendje të planifikojmë me siguri hapat e mëtejshëm të këtij procesi.
Në lidhje me qytetarët, gjeja më e rëndësishme është data se deri kur ata mund të paraqesin dokumentacionin që zotërojnë lidhur me pronat e tyre.
Këtu në vijim, po paraqesim grafikun e fillimit të afishimit publik të materialit të hartuar nga ana jonë për konsultim publik për t’ju dhënë mundësi qytetarëve të shprehin ankesat e tyre rreth punës së bërë nga ana jonë.
Qytetarët kanë kohë deri në momentin e fillimit të afishimit publik, të depozitojnë dokumentacion që ata mendojnë se mund të jetë i nevojshëm në përcaktimin e pronave të tyre.
Në disa raste, gjatë kontakteve derë më derë në fshatrat e Bregut, qytetarë të ndryshëm kanë shprehur shqetësimin e tyre që, një pjesë e pronarëve momentalisht nuk gjenden në Shqipëri, pasi janë jashtë atdheut, kryesisht për arsye emigracioni. Në këto kushte, megjithë avancimin e punës tonë, kemi gjykuar që në raste të vecanta të mundësojmë shtyrjen e këtyre afateve, deri në kthimin e këtyre qytetarëve për pushimet tradicionale gjatë muajit gusht.