Ditën e sotme një incident ka ndodhur mes ministres së Arsimit Besa Shahini dhe gazetares Kristi Gongo.
Për një moment kjo e fundit e ka pyetur Shahinin në lidhje me abuzimin seksual të 15-vjecares nga roja e shkollës në Babrru.
Gazetarja i kërkoi llogari ministres se përse nuk u veprua kur kishte informacion nga drejtori i shkollës për veprimet që kryente Abaz Dogu me të miturën.
Më pas ndodhi incidenti në sallë, ku ministrja u shpreh se nuk ka patur informacion për ngjarjen dhe nuk e ka lënë gazetarën të kundërpërgjigjej, madje i ka fikur asaj dhe mikrofonin.
Gazetarja: Një pyetje për ministrinë, ju thoni se ndiheni krenare kur bëhet denoncimi për këtë çështje, por nga ana tjetër, ju kishit informacion për këtë çështje. Pse nuk vepruar?
Besa Shahini: Kjo nuk është pyetje, kjo nuk është profesionale.
Gazetarja: Kjo nuk është ajo që them unë.
Besa Shahini: Është nga ana juaj si gazetare, dashakeqëse.
Gazetarja: S’është nga ana ime, është nga ana e drejtorit të shkollës.
Besa Shahini: Është joprofesionale të bëni pyetje tendencioze.
Gazetarja: Nuk mund të më akuzoni për joprofesionalizëm.
Besa Shahini: Mos flisni për rastet se dëmtoni viktimat. Por çdo indikacioni që është denoncuar nga drejtori janë marrë masat e pezullimit dhe shkarkimit. Po ju vë në kontekst, si gazetar që mbuloni arsimin. Rojet e shkollës janë punësim i bashkisë. Në këtë rast, bashkia e ka tërheq rojen me kërkesën e drejtorit të shkollës. Nuk ka patur kurrfarë njoftimi. Arsyeja pse mendoj se është pyetje joprofesionale është kjo, se një drejtor që jep deklarata pasi është shkarkuar, duhet të shtrohen pyetjet para se të bëni pyetje tendencioze. (Fiket mikrofoni i gazetares).