Një nga zhvillimet më të bujshme politike në 30 vitet e fundit, janë dhe ndryshimet në Kushtetutë që duan të bëjnë mazhoranca e kryeministrit Edi Rama bashkë me opozitën e re në parlament.
Ndërkohë kjo gjë po diskutohet sot në Komisionin e Ligjeve, në lidhje me ndryshimet që do të bëhen, që nga listat e hapura, heqjen e koalicioneve e deri te ulja e pragut elektoral.
E pranishme është dhe deputetja Ediola Braha, e cila ka rolin e një prej relatoreve të këtyre ndryshimeve në ligjin themeltar të Republikës së Shqipërisë.
Ajo ka dalë nga listat e LSI në qarkun e Gjirokastrës.
Por në rast se i hedhim një sy CV të saj, mund të themi që lë shumë për të dëshiruar.
Sidomos ka një boshllëk në njohuritë e saj juridike.
Personit që nuk i ka shpëtuar ky detaj jo pak i rëndësishëm, është gazetarja Esiona Konomi.
Ajo ka bërë publike CV-në e deputetes, e cila ka mbaruar Universitetin në një shkollë private, që tashmë është mbyllur, dhe tashmë do të propozojë të ndryshojë Kushtetutën, pa pasur më parë një konsultim mes ekspertëve.
“Më vjen të ulëras! Unë dhe ju, duhet të presim deri pasditje, që zonja deputete me CV e mëposhtme, të japë kontributin e saj për ndryshimet Kushtetuese, ndalimin e koalicioneve, hapjen e listave, apo se cfarë pragu elektoral do të kemi.
Pra, znj. Braha, është caktuar nga opozita parlamentare si një prej relatoreve për amendimet në Kushtetutë. As arsim minimal juridik, asnjë ekperiencë në cështjet e legjislative, e aq më pak në rangun e kushtetutshmërisë. Hidhini një sy arsimit dhe eksperiencës së saj në punë dhe krijojini vetë pritshmëritë. (Asgje personale. Faktet.)”, shkruan gazetarja Konomi në postimin e saj.